Jetesë & Stil

Priyanka Chopra “injoron” publikisht Princin William dhe gruan e tij, Kate Middleton (VIDEO)


Mikesha e veçantë e Meghan Markle, Priyanka Chopra, ka pushtuar kryetitujt e shtypit rozë, teksa një video ku ajo shihet duke “injoruar” çiftin, Princin William dhe Kate Middleton është bërë virale në rrjetet sociale.

Në një video të re, xhiruar gjatë netëve finale të Wimbledon-it, aktorja indiane, kishte zgjedhur ta rregullonte shallin e saj, përderisa Duka dhe Dukesha e Cambridge, po uleshin në vendet e tyre të rezervuara për të parë ndeshjen e tenisit.

Ndërkohë, në disa imazhe të tjera, Priyanka, shihet teksa shmang çiftit edhe pas përfundimit të ndeshjes në ambientet jashtë stadiumit.

Priyanka Chopra.

Disa vëzhgues mbretërorë kanë supozuar se ky gjest i Choprës mund të jetë i qëllimshëm, kjo për shkak të miqësisë së saj të ngushtë me Meghan Markle, teksa kjo e fundit kishte kritikuar Kate Middleton gjatë intervistës së saj për Oprah Winfrey.

Kujtojmë se Meghan, kishte pretenduar se kunata e saj e ka bërë të qaj dhe i “kishte lënduar ndjenjat” gjatë një diskutimi të veshjeve, pak para dasmës së saj me Princin Harry.

Ajo gjithashtu akuzoi një anëtar të Familjes Mbretërore pa emër, për racizëm, i cili e kishte pyetur atë lidhur me ngjyrën që fëmija i tyre pritet të ketë.

Reagimit të aktores, e cila është bashkëshortja e këngëtarit të famshëm, Nick Jonas, i janë përgjigjur shumë ndjekës dhe një nga ta është shprehur – “mua më mjafton mënyra se si Priyanka as nuk shikonte në drejtim të tyre”.

“Në të vërtetë jam e shokuar për një mungesë të tillë sjelljeje dhe edukate. Amerikanët të ulur në afërsi të Kate dhe William nuk duartrokitën dhe nuk i mirëpritën ata. Dy yje të mëparshëm të tenisit me gratë e tyre, King dhe Navratilova, dhe një shoqe e ngushtë e Meghanit, Priyanka Chopra”, shkroi një tjetër ndjekës në Twitter.

Ndryshe, Priyanka Chopra dhe Meghan Markle janë shoqe të ngushta që nga viti 2016, kur ato u takuan në një darkë të organizuar nga televizioni “ELLE”.

Gjatë një interviste për “Press Trust of India”, Markle, kishte theksuar se është ndjerë e emocionuar kur ka parë Chopra-n që admironte punën e saj.

“E dini kur takoni dikë dhe thjesht lidhni miqësi? Ishte thjesht një progresion i lehtë, natyral. Ne kemi arritur të mbajmë kontakte përmes e-mailit dhe mesazheve dhe përpiqemi të shohim njëra-tjetrën sa herë që të dyja jemi në të njëjtin qytet”, pati thënë Markle.

Aktorja indiane ishte e ftuar në dasmën e saj me Princin Harry në maj të vitit 2018, megjithatë Meghan nuk mori pjesë në dasmën e saj me Nick Jonas atë dhjetor dhe Priyanka më pas mungoi në festën e foshnjës së Meghanit, duke shkaktuar thashetheme për një grindje të mundshme në atë kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore