Vende

Prestigjiozja Angleze ‘Travel Weekly‘ vlerëson Shqipërinë për hiking dhe alpinizëm


Edhe pse vera ende s’ka trokitur, turistët e parë kanë mbërritur në Shqipëri.

Turistë, të cilët do të shfrytëzojnë ditët e tyre, duke parë dhe shijuar natyrën, traditën dhe kulturën shqiptare.

Por, bukuritë shqiptare, gjithnjë e më tepër, po tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Këtë herë ka qenë Travel Weekly Uk, e cila i ka dedikuar një artikull Shqipërisë, duke e vlerësuar për potencialin e turizmit malor dhe hiking.

Media britanike ka bërë një vlerësim të vendeve turistike të Ballkanit, që nga vija bregdetare e Kroacisë e deri te malet e Rumanisë dhe plazhet e Bullgarisë.

Në artikull, gazetarja Laura French bën një përshkrim të vendeve ballkanike, të cilat janë një margaritar për t’u zbuluar. Nga vijat bregdetare të Kroacisë në malet e Rumanisë, plazhet e Bullgarisë, e deri në shpatet malore të Sllovenisë, Ballkani ofron një larmi mbresëlënëse.

Turistët, që mund të kenë eksploruar disa nga vendet më të njohura të Evropës, këto destinacione në Ballkan të nënvlerësuara ofrojnë shumë për të zbuluar, shprehet Travel Weekly.

Teksa Kroacia vlerësohet për pushime romantike, Serbia për pushime qyteti, Sllovenia për skitë dhe Bullgaria për pushimet me familjen, vendi ynë shihet si një destinacion për alpinizëm dhe hiking.

Laura French për Shqipërinë shprehet se, Ballkani mund të mburret nga mundësitë e pafundme për të shfrytëzuar gjatë sezoni të verës.

Por ka edhe një vend që nuk e keni vlerësuar dhe eksploruar si duhet, shkoni në Shqipëri, ku pothuajse tre të katërtat e peizazhit përbëhet nga male.

Për ata që dëshirojnë të ngjitin majat më të mira, Laura sugjeron një turne udhërrëfyes.

Wild Frontiers ka një itinerar tetëditor, shprehet gazetarja, një shëtitje në Shqipërinë e Veriut duke kombinuar fshatra të largëta, liqenet me shkëlqimin e tyre, si dhe lugina të izoluara, duke përfunduar me një vizitë në Shkodër, një nga qytetet më të vjetra të Ballkanit.

“Ky është një udhëtim në një Evropë të harruar prej kohësh”, thotë Jonny Bealby, themeluesi i Wild Frontiers.

“Shqipëria ofron një përzierje perfekte të peizazheve malore, sharmit të qytetit të vjetër dhe një mënyrë e veçantë e jetës rurale që po zhduket shpejt. Mund të jetë një përvojë vërtet shpërblyese, të merrni një eksperiencë të kuzhinës tradicionale, apo edhe të  shijoni verën e prodhuar nga vetë banorët e zonës”, vijon ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore