Lajme

Presidenti i Kazakistanit: Blloku ushtarak i udhëhequr nga Rusia do të fillojë tërheqjen e trupave


Paqeruajtësit e CSTO-së në Kazakistan,

Një bllok ushtarak, i udhëhequr nga Rusia, do të fillojë tërheqjen e trupave të tij nga Kazakistani brenda dy ditësh.

Kështu ka bërë të ditur, gjatë një seance parlamentare, presidenti kazakistanez, Kassym-Jomart Tokayev.

Kassym-Jomart Tokayev – President i Kazakistanit.

“Trupat nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) do të largohen plotësisht nga kombi i Azisë Qendrore gjatë një periudhe prej 10 ditësh”, ka thënë Tokayev.

Kazakistani kërkoi ndihmë ushtarake të CSTO-së, në mes të trazirave të shkaktuara javën e kaluar nga një rritje e madhe e çmimeve të karburantit, e cila shpejt u përshkallëzua në dhunë, ku mbetën të vdekur 164 njerëz.

Tokayev emëroi Alikhan Smailov si kryeministër dhe dhoma e ulët e Parlamentit e votoi me shpejtësi gjatë një seance të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.

Alikhan Smailov – Kryeministër i porsazgjedhur i Kazakistanit.

Smailov, 49 vjeç, shërbeu si zëvendëskryeministër i parë në kabinetin e mëparshëm, të cilin Tokayev e shkarkoi javën e kaluar mes trazirave të dhunshme në vendin e pasur me naftë të Azisë Qendrore.

“Forcat e sigurisë së Kazakistanit kanë arrestuar tani 9 mijë e 900 njerëz për shkak të trazirave”, tha Ministria e Brendshme e Kazakistanit në një komunikatë për media.

Mes të tjerash, në fjalimin e tij, Tokayev urdhëroi gjithashtu bankën qendrore dhe agjencinë e rregullave financiare të sigurojnë stabilitetin e tregut të këmbimit valutor, në mënyrë që të ndërtohet besimi në monedhën vendase.

Trazirat duket se janë stabilizuar në ditët e fundit dhe autoritetet kanë premtuar se jeta do të fillojë të kthehet në normalitet.

Megjithatë, zëvendësministri i mbrojtjes, Sulltan Gamaletdinov, së fundmi ka thënë se një “operacion anti-terrorist” ishte ende, duke u zhvilluar dhe do të vazhdojë “derisa terroristët të eliminohen plotësisht dhe të rivendoset rendi kushtetues në republikën e Kazakistanit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore