Shqipëria

Presidenti Begaj apelon qetësi përpara zgjedhjeve dhe i bën thirrje shqiptarëve ‘të flasin me votë’


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka apeluar pak orë përpara nisjes së heshtjes zgjedhore, që të ketë qetësi nga palët politike dhe qytetarëve, u ka kërkuar tashmë “të flasin me votë”.

“Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur,  kur kanë dashur dhe me intensitetin e  paevitueshëm të propozimeve partiake”, e ka nisur kreu i shtetit fjalën e tij adresuar publikut.

Ndërsa tani, radha është që aktorët politikë të heshtin, sepse ata që flasin (me votë) janë qytetarët.

Ndaj, në këtë spektër, kjo gjë është thelbësorja, vota e qytetarëve, në bazë të fjalës së Begajt.

Ai ka përkufizuar se të zgjedhurit nga populli për strukturat vendore, do të jenë përgjegjës për mirëmenaxhimin e burimeve vendore dhe për krijimin përmes tyre, të mundësive të reja të zhvillimit.

Ndaj, qytetarët, duhet ta ushtrojnë të drejtën e votës me përgjegjësi dhe pa e anashkaluar çastin e rëndësishëm.

“Ju kërkoj të jeni në lartësinë e kësaj sfide, të cilën ia kemi detyrim të gjithë qytetarëve shqiptarë e veçanërisht brezit të ri”, shtoi ai më tej. “Ia kemi detyrim shpresës së diasporës shqiptare që i mban sytë dhe zemrën nga atdheu dhe të gjithë punës së madhe që është bërë pa dallim krahu politik, për të siguruar pluralizmin dhe demokracinë në  Shqipëri”.

Me thirrjen e fundit, “Ju lutem flisni me votë”, ai e mbylli mesazhin e posaçëm për vigjiljen e zgjedhjeve të 14 majit.

Një thirrje për mbarëvajtjen e procesit dhe ushtrimin e të drejtës së votës, e kanë bërë edhe faktorët ndërkombëtarë në vend.

Kështu, nga prania e OSBE-së në Shqipëri, është bërë thirrje për të nxitur qytetarët të dalin në zgjedhje.

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për pjesëmarrje në votime

“Ka mbi 200 të diela në 4 vjet, por vetëm 1 për të vendosur për të ardhmen e qytetit apo fshatit tënd. Bëhu pjesë e festës së demokracisë, duke ushtruar të drejtën dhe detyrën tënde qytetare më 14 maj. Çdo votë vlen! Shko voto! Bëje zërin tënd të dëgjohet!”, shkruhet në njoftimin e pranisë së OSBE-së, e cila do të ketë vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë në gjithë vendin.

Thirrje është bërë edhe nga radhët e Ambasadës Amerikane, duke theksuar se zgjedhjet duhet të jenë transparente dhe të lira.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ka bërë thirrje për qytetarët, që të mos neglizhojnë procesin e rëndësishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore