Lajme

Presidenca çeke tregon për Albanian Post çfarë u diskutua në mbledhjen e Këshillit për Kosovën


Kryesisht ka qenë një atmosferë pozitive dhe përgjithësisht është mbështetur procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, por ka akoma çështje për t’u diskutuar ka thënë në një përgjigje për Albanian Post, Eva Hrncirova, zëdhënëse e presidencës çeke në Bruksel.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve në temën (e liberalizimit të vizave) dhe përgjithësisht e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të bëhet progres, do të jetë e nevojshme që të qartësohet një numër çështjesh që ndërlidhen (me vizat) dhe të vazhdojë diskutimi”, deklaroi Hrncirova në një përgjigje me shkrim për AP.

Në media është raportuar, me burime, se gjatë diskutimeve nga përfaqësuesi i Francës është përmendur edhe funksionalizimi i sistemit për siguri në Evropë që njihet si ETIAS.

Sistem ky që u kërkohet vendeve që tashmë udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Por, në përgjigjen për AP, Hrncirova nuk ka përmendur se është zhvilluar një diskutim i tillë.

Ajo vetëm ka treguar shkurtimisht kronologjinë e takimit.

“Komisioni Evropian prezantoi raportin teknik të përditësuar për këtë temë, i cili rikonfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”.

Çfarë është ETIAS? – Kushti i ri që Franca ia vendosi Kosovës për vizat?

ETIAS [European Travel Information and Authorisation System] do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

Është sistem tërësisht elektronik, i cili lejon dhe mban gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.

Në njëfarë mënyre, i ngjan Sistemit Elektronik të ShBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht funksional në maj 2023.

ETIAS do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar sigurie të secilit aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen të hyjnë në ndonjë vend të Zonës Shengen.

Ndërsa qytetarët e vendeve, që nuk kanë nevojë për vizë për qëllime udhëtimi deri në 90 ditë në BE, nuk kanë nevojë të kalojnë një proces të gjatë aplikimi për vizë, ETIAS do të sigurohet që këta njerëz të mos përbëjnë një kërcënim sigurie. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengen-it.

ETIAS, përveç përdorimit për qëllime biznesi dhe turistike, do t’i lejojë njerëzit të vizitojnë vendet e Shengen-it për arsye mjekësore dhe tranziti. Gjithashtu, do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet që janë pa viza Shengen.

“Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Me rritjen e rrezikut të udhëtarëve në mbarë botën, BE-ja dëshiron të sigurojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. ETIAS do të ulë ndjeshëm shqetësimet e sigurisë nëpërmjet sistemeve të tij të mbledhjes së informacionit dhe të dhënave. Çfarë do të thotë kjo, është se ETIAS do të zbulojë nëse një person është një kërcënim në ndonjë mënyrë për sigurinë e vendeve të Shengen-it. Kjo do të bëjë që personit t’i mohohet hyrja dhe të shmanget kërcënimi për të qenë i pranishëm brenda kufijve të BE-së. Në thelb do të merret me një problem para se të jetë aty”.

Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex), rreth 1,4 miliardë udhëtarë nga vendet që lëvizin lirshëm në Shengen do të preken nga ky rregull i ri.

Procedura është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe mund të bëhet përmes faqes së internetit.

Formulari kërkon të dhënat e udhëtarit, si dhe informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore, udhëtimet në vendet e luftës dhe precedentët kriminale. Aplikimi për autorizimin do të kushtojë 7 euro për person.

Ndryshe Bashkimi Evropian ka planifikuar që vitin e ardhshëm, përkatësisht nga muaji maj, të vendosë në fuqi masën “European Travel Information and Authorization System (ETIAS), që vendet që gëzojnë udhëtim të lirë pa regjim vizash, t’i nënshtrohen një procedure paraprake autorizuese për të hyrë në BE.

Në mesin e këtyre vendeve që do t’i nënshtrohen kësaj procedure autorizuese, janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës e cila edhe ashtu nuk mund të udhëtojë lirshëm në Evropë, pa u pajisur së pari me vizë.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, preken nga kjo masë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore