Lajme

Premtimi i Abdixhikut për mësimdhënësit: Do t’ua rrisim koeficientin në 135


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ua ka uruar të gjithë mësimdhënësve 7 marsin, Ditën e Mësuesit, derisa u ka dhënë një premtim atyre nëse do të marrë drejtimin e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, nga LDK-ja kanë thënë se Abdixhiku uron dhe falënderon të gjithë mësimdhënësit “për kontributin e tyre të çmuar, ndërbreza”.

“Kjo ditë është e një rëndësie të veçantë, sepse kujtohet roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i mësimdhënësve, të cilët detyrën e tyre fisnike; edukimin e arsimimin, nuk e ndalën as në momentet më të rënda të vendit”, ka pohuar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se partia që ai e udhëheqë e ka prioritet trajtimin dinjitoz të mësimdhënësve.

“Në programin politik ‘Rruga e Re’, parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nga 125 në vitin e parë, në 135 në vitin e fundit të mandatit”.

“Puna e juaj fisnike, duhet të trajtohet me dinjitet edhe në aspektin financiar!”, përfundoi lideri i opozitës.

Ndërsa, për 7 mars, në ditën e mësuesit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paraqitur tri kërkesa për përmirësimin e kushteve për mësimdhënës.

“Të dashur qytetarë, sot kur po shënojmë Ditën e Mësuesit, shteti duhet t’i kthehet kërkesave që kërkojnë zgjidhje emergjente për mësuesin e Kosovës”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Kërkesa e parë, ish-kryeministri tha se është që vlera e koeficientit të ngritet në se paku 130 euro, ngase “ngritja që bëri qeveria nga 105 në 110 është ironike dhe ka shtuar shumë pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit”.

“Kërkesë e dytë është që të mbetet pika 6 e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale që ua pranon punëtorëve të arsimit ato vite si kontributdhënëse sepse ndryshimet e bëra me ndryshim plotësimin e këtij ligji ua mohojnë këtë të drejtë të fituar”, shtoi.

Si kërkesë të tretë, Haradinaj ka kërkuar që të mos ndryshohet përmbajtja e Kontratës individuale të punës e as Ligjet ekzistuese pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatës dhe palëve tjera “sepse Qeveria Kurti duke shfrytëzuar numrat në parlament po bën ndryshime në ligje që nuk avancojnë, por mohojnë disa të drejta të fituara e të garantuara me ligjet aktuale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore