Sport

Premier League/ Arsenal-i poker Leeds-it dhe forcon pozitata në zonën Champions


Një ndeshje u luajt këtë të shtunë në Premier League-n angleze, ndërsa gjashtë të tjera u shtynë për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Arsenal-i u përballë në transfertë me Leeds United. Skuadra e Mikel Arteta-s triumfoi me rezultatin 4-1, duke i shkaktuar humbjen e tretë radhazi vendasve.

Skuadra e Marcelo Bielsa-s humbi ndaj Chelsea-t 3-2, Manchester City-t 7-0 dhe tashmë ka pësuar dhe katër gola nga Arsenal-i, duke u zhytur në krizë rezultatesh.

Gabriel Martinelli ishte një nga më të mirët për miqtë. Talenti italo-brazilian, shënoi dy golat e parë të takimit, në minutat 16 dhe 28. Te goli i dytë Granit Xhaka ishte njeriu asist.

Talenti anglez, Bukayo Saka, ishte autori i golit të tretë për miqtë, në minutën e 42. Gol i cili u quajt i rregullt pas konfirmimit nga VAR-i.

Në pjesën e dytë, fillimisht do të shënonin vendasit. Në minutën e 75, braziliani Raphinha ekzekuton saktë një 11 metërsh.

Për të vulosur shifrat në 4-1 mendoi talenti tjetër i Arsenal-it, Emile Smith Rowe. 21-vjeçari shënoi në minutën e 84.

Me fitoren e arritur, Arsenal-i shkon në kuotën e 32 pikëve në vendin e katërt në renditje. Leeds-i qëndron në vendin e 16 dhe me 16 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore