Lajme

Prejse ka filluar greva në arsim, kanë humbur 2 milionë e 100 mijë orë


Foto nga Albanian Post

Ish-Ministri i Arsimit dhe ish-kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë llogaritjen e orëve që kanë humbur nga 1 shtatori e deri këtë të premte me 23 shtator.

Hoxhaj, që përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka kërkuar zgjidhje, tha se çështja e grevës më shumë se gjithçka është punë “inati e mllefi”.

“Sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor! Deri më sot janë humbur mbi 2.100.000 orë pune për mësimdhënësit e orë mësimi për nxënës”, shkruan ai.

Enver Hoxhaj

Për Hoxhajn, kjo është “një humbje e madhe me pasoja shumëdimesionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve”.

“Dhe krejt kjo për një arsye të vetme: mungesën e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit! Është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut!”.

Hoxhaj ka lëvduar partinë e tij se inicuese e debatit parlamentar për të gjetur një zgjidhje dhe siç tha ai “duke ofruar zgjidhje”.

“Ajo do të kushtonte më pak se 3 milionë euro në muaj për të gjithë mësimdhënësit, duke ofruar një rritje shtesë në përputhje me rritjen e inflacionit! Për të gjithë ata që janë në administratë zgjidhja do të kushtonte afërsisht 23 milionë euro. Ligji për Pagat është zgjidhja afatgjatë, e jo zgjidhja kalimtare! Por, rezoluta jonë dhe zgjidhja e sugjeruar nuk u pranua nga shumica në Kuvend. Jo për shkak të fuqisë së argumentit, por si refleks i nevojës për të nxjerrë jashtë inatin, të cilin e kanë brenda”.

Një ministër që s’di, një tjetër që s’do, grevistë që s’heqin dorë dhe një komision parlamentar që po mundohet

Këtë të premte është bërë edhe një përpjekje në kërkim të një zgjidhje nga Komisioni Parlamentar për Arsim i Kuvendit të Kosovës, por përkundër se në takim ishin edhe dy ministrat, Arbërie Nagavci e Arsimit e Hekuran Murati i Financave, zgjidhje nuk pati, madje e kundërta.

Tonet veçse u acaruan, kur Murati u kërkoi llogari anëtarëve të këshillit grevist që ishin në takim, duke i pyetur se me cilën parti politike janë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore