Lajme

Prejse ka ardhur Vetëvendosje në pushtet “institucionet po rrejnë me të dhëna”, thotë Bekë Berisha


Beke Berisha, deputet i Kosoves

Edhe nëse janë larguar brenda vitit vetëm 38 policë nga detyra, është shifër shumë e madhe për një vend të vogël si Kosova, por numri është shumë më i madh, ka thënë kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, kur i janë treguar të dhënat zyrtare nga Albanian Post për numrin e policëve që po zhvishen nga uniforma.

Ai është i bindur se shifrat janë shumë më të mëdha se numrat zyrtarë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në mbledhjen e komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e shprehu para Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, shqetësimin e tkurrjes së numrit të pjesëtarëve të policisë.

Shqetësimi i deputeti nuk u ndesh me kundërshtim nga Mehmeti.

Edhe ai e konfirmoi se e kanë hall largimin e policëve.

“Informatën se shumë zyrtarë policorë po e lënë punën në polici e kam marrë nga vetë pjesëtarët policorë që e kanë lënë punën”, thotë Berisha për AP.

Albanian Post, pas mbledhjes së komisionit, ka kërkuar shifrat zyrtare nga forcat e rendit.

Sipas të dhënave, në vitin 2021 ishin 38 policë që dorëzuan revolen.

Por, siç thuhet në e-mailin për AP, “bazuar në statistika krahasuese vërehet se edhe vite më parë ka pasur dorëheqje të tilla nga PK-ja, ku për shembull, viti 2019 ka qenë edhe më i lartë se vitet e fundit me 44 dorëheqje vullnetare”.

Edhe vitet tjera përafërsisht tregojnë shifra të njëjta. Në vitin 2020 ishin 20 që u larguan, kurse në vitet 2017 e 2018 ishin 28 dhe 29 të larguar.

“Për Kosovën edhe këto shifra janë shumë, sepse investohet në ta. Për një kadet që të bëhet polic ka shpenzime dhe investohet edhe në akademi edhe me para, e ky numër megjithatë nuk është i vogël, sado që të jetë ai, edhe 30 edhe 35”, thotë Berisha.

Megjithatë, ai e ka bindje se këto shifra dërguar nga policia nuk janë reale.

Nga policia, Berisha thotë, kanë “rrejt”.

“Nuk e ka çu numrin e saktë, ua ka çu numrin ma të vogël”.

Siç deklaron deputeti opozitar, “prej kur ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje (në pushtet) ndodhë me rrejt edhe AKI edhe Policia në dhënie të informatave”.

Mendimi se të dhënat e dërguara nga policia për AP-në s’janë të vërteta, Berishës i vjen nga fakti se ai personalisht i ka informatat për numra të tjerë – më të mëdhenj.

“Mu nuk guxojnë me më rrejt, por juve si gazetarë mund t’iu rrejnë””, thotë ai, duke shtuar se megjithatë “institucionet, sidomos këto të sigurisë, nuk duhet me rrejt”.

Madje s’është në pyetje veç policia, pohon ai, “edhe nga FSK ka njerëz që e lënë punën dhe vazhdojnë në perëndim”.

Pjesetare te Policise se Kosoves

Për largimet masive nga FSK, Albanian Post ka raportuar kohë më parë.

Sipas burimeve brenda ministrisë së Mbrojtjes, janë qindra pjesëtarë që për shkak të pakënaqësive, kryesisht financiare, duan të largohen.

AP-së, gjendjen e rëndë, ia kishte komentuar edhe ish-gjenerali i FSK-së, Hisen Berisha, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai pati deklaruar se janë rreth 800 ushtarë që kanë aplikuar për viza pune në ambasada të ndryshme të shteteve perëndimore në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore