Kosova

Pozita kërkon të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore, opozita e kundërshton


Kuvendi i Kosovës.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka kërkuar që të miratohet ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ajo sqaroi se ky projektligj në raste të veçanta zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produktet themelore.

“Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore. Ky projektligj ka paraparë masa që do të ndërmerren në raste të veçanta. Duke marrë parasysh rëndësinë e miratimit të këtij projektligji, ju ftoj ta aprovoni sepse një ligj i tillë është aprovuar edhe në shtete të rajonit”, ka thënë Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Kërkimin për miratimin e këtij projektligji e bëri edhe shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo bëri të ditur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se Kosova është duke kaluar në një situatë të pazakontë.

“Jemi në situatë të pazakontë të cilën nuk mund ta ndryshojmë në burim por mund ta ndryshojmë në bazë të asaj se si reagojmë ndaj saj. Praktikat që ndjekin vendet janë praktika jo të njejta për nga natyra por të cilat kanë qëllim që në mënyrë efikase t’i dalin në ballë krizës të cilën nuk e kemi shkaktuar, por kemi synimin dhe qëllimin e ruajtjes së mirëqenies së qytetarëve dhe familjeve të tyre”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo u shpreh se një projektligji i tillë ndihmon që të përcaktohet një rregullative për treg të përbashkët.

“Bashkimi Evropian destinacioni të cilin e synon Kosova ka të rregulluar ndërhyrjen në treg përmes rregullativës së tregut të përbashkët e cila parasheh ndërhyrjet e shteteve anëtare në tregjet e produkteve bujqësore e ushqimore.  Përmes sistemit të përcaktimit të çmimit ose ndryshimit të sasisë së produkteve në treg”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila shtoi se, “masa të tilla përdorën kur ka lindur një krizë ose kërcënim i një krize dhe nevojitet një përgjigje specifike për të parandaluar ngritjet e çmimeve dhe për të zbutur pasojat e tyre”.

Mirëpo, një projektligj i tillë është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ferat Shala, nga PDK-ja deklaroi se fillimisht ministria duhet të bëjë analizë të tregut e pastaj të miratohet një projektligj i tillë.

“Komisioni është i obliguar të bëjë paraprakisht një analizë të tregut. Ne e dimë çfarë kapacitete ka Ministria dhe kush mund të bëjë studim për ekonominë e tregut të lirë dhe për masat që duhet vendosur jashtëzakonisht le për të dëshiruar ky qëndrim dhe ky nen”.

“Pastaj, kush është komisioni dhe çfarë ekspertize ka nuk kemi asnjë të dhënë pra janë pozicione krejtësisht politike pastaj projektligji ka edhe te meta bazike siç është kostoja e projektligjit”.

Ferat Shala, PDK.

Shala bëri të ditur se PDK-ja nuk do ta mbështet një projektligj si ky që është prezantuar nga ministrja Hajdari.

“Pajtohem që ideja është dhe duhet të zhvillohet që të mbrohet konsumatori, në drejtim të mbrojtjes së produkteve esenciale, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të tregut. Por, kjo ide nuk pasqyron atë që u tha dhe që duhet në mënyrën më të mirë pra në këtë situatë që është Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështet një ligj i cili parimisht është keq i shkruar dhe i dëmshëm për produktet”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, konsideroi se me Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, po bëhen shkelje kushtetuese.

“Nuk mundeni me i detyru njerëzit me i shit produktet e caktuara ju vetëm mundeni me i detyru që ata me shpall falimentimin dhe me këtë nen ju e keni cënu edhe zgjedhjen e lirë të aktivitetit dhe gjithashtu fitimin si forcë lëvizëse”.

Bajrami, shtoi se as LDK-ja nuk do ta mbështet këtë projektligj, duke kërkuar që Qeveria për projektligje të tilla të konsultohet me njerëz adekuatë.

“Ju është evidente që nuk po e dini po nuk është turp për me pyt. Po, për me pyt po më duket se nuk po keni as kon ta pyesni sepse 80 për qind të pozitave i keni me ushtrues të detyrës po i hapni konkurset dhe askush nuk po konkurron”.

I të njëjtit mendim me Bajramin është deklaruar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.

“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime rrënjësore. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ajo.

Pal Lekaj, AAK.

Një masë e tillë ishte paralajmëruar më 13 korrik nga ministrja Hajdari.

Ajo në një konferencë për media të mërkurën ka bërë të ditur se janë duke punuar për një masë ligjore rreth produkteve bazike.

Dy opsionet që kjo ministri ishte thënë se është duke shqyrtuar është caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore