Lajme

Politikanja serbe me origjinë nga Kosova: “S’duhej të sanksionohej Radoiçiçi, por Albin Kurti”


Danijela Vujiçiç

Për deputeten e Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiç, para se Britania e Madhe vuri sanksione ndaj Milan Radoiçiç’it, ato fillimisht duhej t’i vendoseshin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, siç thotë mendja e saj, “është shkelësi më i urryer i të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Teksa sanksonimin e Radoiçiç’it dhe Zdravko Veselinoviç’it – anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale – e ka quajtur “hipokrizi”, duke i lartësuar kriminelët, Vujiçiç akuzoi Britaninë e Madhe se gjoja po e mbështet Kurtin në “persekutimin” e serbëve.

“Zotërinj nga Britania e Madhe, sanksionet që i vendosni ndaj serbëve të nderuar, nënkryetarit tonë të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, janë hipokrizia e politikës suaj, të cilën çdo serb dhe bota demokratike e urrejnë”, deklaroi ajo, transmeton mediumi serb me seli në Kosovë “Kosovo-Online”.

“Fillimisht do ta fusje fëmijën tënd, Albin Kurtin, në listën e zezë dhe më pas do ta pranoje se ju i lyeni me ngjyrë të zezë të gjitha të drejtat njerëzore të një populli dhe me qëndrimin dhe mbështetjen tuaj ndaj Kosovës, do t’i ndihmoni ata që të minojnë demokracinë që mban nënshkrimin tuaj”.

Sipas deputetes serbe me origjinë nga Kosova, lista e sanksionimeve “nuk mund ta lëkundë popullin dhe krenarinë e serbëve”.

“Sido që të jenë dhe duken ato lista, dhe ne e dimë se kemi qenë në listën tuaj të zezë për dekada si komb, ju nuk mund ta trazoni popullin serb sepse lista jonë krenare përbëhet nga një komb në të cilin lideri i saj, Milan Radoiçiç, është i pari – i respektuar dhe i vlerësuar”.

Ndryshe, Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka njoftuar të premten një valë të re sanksionesh ndaj aktorëve të korruptuar dhe ata të cilët shkelin dhe abuzojnë të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në mbarë botën.

Në listën e të sanksionuarve janë edhe politikanët dhe biznesmenët serbë që veprojnë në Kosovë, Radoiçiç dhe Veselinoviç, të cilët Qeveria e Britianisë së Madhe i ka përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

Kujtojmë se Radoiçiç, Veselinoviç dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Britania e Madhe sanksionon Milan Radoiçiç’in dhe Zvonko Veselinoviç’in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore