Kosova

Britania e Madhe sanksionon Milan Radoiçiç’in dhe Zvonko Veselinoviç’in


Foto ilustruese nga Albanian Post

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka njoftuar të premten një valë të re sanksionesh ndaj aktorëve të korruptuar dhe ata të cilët shkelin dhe abuzojnë të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në mbarë botën.

Në listën e të sanksionuarve janë edhe politikanët dhe biznesmenët serbë që veprojnë në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët Qeveria e Britianisë së Madhe i ka përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

“Kjo valë sanksionesh, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut”, thuhet në njoftim.

Radoiçiç ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të ndërtimit kontrata fitimprurëse, ndërsa Veselinoviç, një biznesmen tjetër i industrisë së ndërtimit në Kosovë, ka përdorur kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Ndër të tjera, në paketën e sanksioneve të Britanisë së Madhe përfshihet edhe Slobodan Tesiç, një tregtar i rëndësishëm armësh me bazë në Serbi, i akuzuar për ryshfet ndaj Kryeprokurorit të Shtetit të një vendi tjetër.

Paketa përfshin individë dhe subjekte të përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të rënda – duke përfshirë torturimin e të burgosurve, mobilizimin e trupave për përdhunimin e civilëve dhe mizoritë sistematike.

Këto sanksione demonstrojnë përkushtimin e Britanisë së Madhe për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut, kurdo dhe kudo.

“Është detyra jonë të promovojmë shoqëri të lira dhe të hapura në mbarë botën. Sot sanksionet tona shkojnë më tej për t’i ekspozuar ata që qëndrojnë pas shkeljeve të tmerrshme të të drejtave tona më themelore. Ne jemi të përkushtuar të përdorim çdo levë që kemi në dispozicion për të siguruar një të ardhme lirie mbi frikën”, deklaroi Cleverly.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicionin tonë për të trajtuar aktorët e korruptuar, shkeljet dhe abuzimet moralisht të dënueshme, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën ndaj të drejtave të njeriut në mbarë botën”.

Gjithashtu, Britania e Madhe ka sanksionuar mbi 1 mijë e 200 individë në Rusi, duke përfshirë anëtarë të ushtrisë ruse, kurse në Iran, sanksionet kanë shënjestruar zyrtarët përgjegjës për shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut.

Ndryshe, Milan Radoiçiç, Zvonko Vesellinoviç dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore