Lajme

Politikania izraelite sugjeron që mjekët mund të refuzojnë të trajtojnë pacientët homoseksualë


Në Izrael, një sugjerim i një prej ministrave të ardhshëm të Benjamin Netanyahu-t se mjekët duhet të lejohen të refuzojnë trajtimin e pacientëve LGBTQ për arsye fetare ka rritur frikën se qeveria e re përbën një kërcënim të paprecedentë për të drejtat e homoseksualëve.

“Deklaratat raciste të ditëve të fundit kundër komunitetit LGBTQ dhe sektorëve të tjerë të publikut më bëjnë jashtëzakonisht të shqetësuar”, ka thënë presidenti izraelit Isaac Herzog.

Presidenti, posti i të cilit është kryesisht ceremonial, por që zotëron një shkallë autoriteti, ka thënë po ashtu se një retorikë e tillë minon “vlerat demokratike”.

Por Netanyahu mohon se qeveria e tij e re do të përbëjë një kërcënim për të drejtat e homoseksualëve.

Megjithatë, kritikët janë të mendimit se ai është shumë i dobët për të kontrolluar partnerët e tij ultra-nacionalistë dhe ultra-ortodoksë të koalicionit.

Ata e shtyjnë Izraelin të përvetësojë gjithnjë e më shumë atë që ata e shohin si trashëgimi fetare të shuguruar në mënyrë hyjnore.

Ministrja e ardhshme e misioneve kombëtare, Orit Strook, i Partisë Fetare Sioniste, u kuptua gjerësisht në një intervistë se nënkuptonte që mjekët izraelitë do të ishin në gjendje të refuzonin trajtimin për pacientët LGBTQ.

E gjitha në frymën e legjislacionit që partia e saj po harton dhe në përputhje me marrëveshjet e koalicionit që parashikojnë ndryshimin e një ligji kundër diskriminimit.

Strook ka specifikuar se një mjek mund të refuzojë kujdesin për një pacient nëse kjo gjë shkel bindjet e tij fetare “për sa kohë që ka mjaft mjekë të tjerë që mund ta ofrojnë këtë shërbim”.

Dhe pas kritikave të ashpra ndaj komenteve të saj, më vonë postoi në Twitter se ajo i ishte referuar procedurave mjekësore që do të ishin të kundërshtueshme nga ana fetare, jo individëve LGBTQ.

Sakaq, nuk ka specifikuar se cilat procedura mund të ishin.

Ajo ka theksuar se ishte e paimagjinueshme të detyrohej një mjek hebre të shkelte ligjin hebre në një shtet hebre “që u krijua pas 2000 vjet mërgimi për shkak të hebrenjve që sakrifikuan jetën e tyre për përmbushjen e Torës”.

Partia e Strook po avancon një ndryshim në një ligj kundër diskriminimit që lejon përjashtime për ofruesit e shërbimeve ku bindjet fetare të ofruesit do të shkeleshin.

Ofer Newman, shefi ekzekutiv i Igy (Rinia Gay në Izrael), i ka përshkruar deklaratat dhe planin legjislativ “të rrezikshëm”.

Ai ka parashikuar më shumë dhunë dhe abuzim kundër komunitetit të tij.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore