Kosova

Politikani radikal serb: “Kosovën duhet ta shpallim territor të okupuar”


Boshko Obradoviç

Politikani serb dhe udhëheqësi i partisë politike të ekstremit të djathtë në Serbi Dveri, Boshko Obradoviç, ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që ta shpallë Kosovën “territor të okupuar”.

“Sot se do të propozojë që mbledhja e re e Kuvendit Popullor urgjentisht të mbajë një seancë të posaçme me temën e situatës aktuale në Kosovë dhe të shpallë ‘pushtimin e një pjese të territorit të Serbisë’”, deklaroi ai, njoftojnë mediat serbe.

Obradoviç, që e mban vetën për më radikal se sa vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “pas 10 vitesh të negociatave të dëmshme dhe marrëveshjeve jokushtetuese në Bruksel, me të cilat përfaqësuesit e pushtetit aktual hoqën dorë nga një pjesë e juridiksionit shtetëror mbi Kosovën serbët në veri janë në një pozicion më të vështirë”.

Ai beson se “e vetmja mënyrë për ta parandaluar autoritete e Kosovës është ndryshimi i politikës së shtetit të Serbisë ndaj Kosovës, që do të nënkuptonte mbi të gjitha anulimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe kthimin e bisedimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

“Po ashtu, Parlamenti i ri do të duhej të deklarohej për Rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila kërkon që ne të njohim shtetin e Kosovës dhe të vendosim sanksione ndaj Rusisë, gjë që është e papranueshme dhe duhet të refuzohet me një vendim të posaçëm parlamentar”, deklaroi Obradoviç.

Ai këto deklarime i ka bërë pas tensioneve që u ngritën mbrëmjen e së dielës, kur Kosova provoi të aplikojë reciprocitetin me Serbinë për tragat dhe kalimet kufitare të njerëzve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore