Shqipëria

Përballja e dytë Rama-Report – Sy më sy për të vërtetën


Sigfrido Ranucci, drejtuesi i emisionit hetues Report në Rai 3, e kishte premtuar një seri të dytë për Shqipërinë dhe në fakt kështu ndodhi.

Aq shumë e diskutuar – për shkak edhe të temave tejet të nxehta të përfolura në emision lidhur me Qeverinë shqiptare dhe kapjes së pretenduar të shtetit nga eksponentë mafiozë – edhe seria e dytë kishte pritshmëri të larta, për shkak edhe se pjesë do të ishte përmes një interviste kryeministri Edi Rama.

Përballja, ndryshe nga hera e parë, që u zhvillua më së shumti virtualisht përmes publikimeve në media sociale, ishte sy më sy këtë herë mes gazetarit Giorgio Mottola dhe kreut të ekzekutivit shqiptar.

Ajo gjithsesi duhet ndarë në dy rrafshe, pasi ka dy aspekte të gjithë gjësë: Dokumentari vetë, e më tej intervista e gjatë e Ramës (mbi 1 orë e 30 minuta), si e veçuar.

Rama shpjegon pse e quajti ‘të neveritshëm’ dokumentarin e Report për Shqipërinë

Për të nisur me çfarë Report shfaqi dhe si i shfaqi.

Pas një serie të parë të përqendruar kryesisht në aspekte si kapja e shtetit nga mafia, apo figura qendrore e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i cili në dokumentar paraqitet si lidhja konkrete për zhvillimin e një kampi emigrantësh në Gjadër, në shërbim të Italisë, edhe e dyta e kishte një figurë qendrore, por këtë herë antagoniste.

Duhet kuptuar se ashtu si seria e parë, edhe kjo e dytë thelbin në vetvete për shikuesin italian, e ka te parashtrimi i tezës se si Qeveria italiane (Giorgia Meloni më saktë), ka nënshkruar këtë marrëveshje dhe po jep miliona euro për një projekt kampi emigrantësh, në favor të një shteti, qeveria e të cilit pretendohet se është e kapur nga mafia. Aq sa të quhet deri edhe narkoshtet!

Mbrojtja e Melonit ndaj Ramës paraqitet, komentet e këtij të fundit mbi të dhe miqësisë së dy vendeve, por edhe se si punimet janë shumë pas në kohë, me agjendën e parashikuar.

Megjithatë, vëmendja më tej përqendrohet te Shqipëria sërish dhe elementi “kyç” që lidh dy kahet, është as më pak e as më shumë, por ish-zëvendëskryeministri (tashmë në arrati nga drejtësia), Arben Ahmetaj.

I realizohet atij një kamerë e fshehtë, e cila ngre dhe kjo pikëpyetjet e veta. Ahmetaj flet madje edhe me emra të përveçëm në tavolinën e shtruar me gazetarët italianë të Report, ku përmend emrin e Ergys Agasit, si lidhje mes Ramës dhe botës së krimit.

Ahmetaj hedh sërish akuza për Ramën në emisionin Report

Shkon edhe më tej: Rama i pret në zyrën e tij kokat e mafies shqiptare, thotë Ahmetaj. Por, çuditërisht, edhe pse ai vetë i ka parë e stërparë në hyrje-daljet e tyre në Kryeministri, “nuk i ka takuar asnjëherë, pasi nuk do të bëhet kurrë palë me botën e errët të krimit”.

Për t’u kthyer te akuzat e Ahmetajt, Rama i mohon të gjitha kur pyetet mbi çështjen. Pranon takime me disa emra që i përmenden, por që nuk janë si i paraqet Report, pasi palë të tretë i kanë sjellë te ai për çështje biznesi.

Problemi i vërtetë ndërkaq, të cilin Rama e paraqet dhe ngulmon vazhdimisht, ka të bëjë me faktin se në të vërtetë, teksa në serinë e parë akuzat e Report bazoheshin te parashtrimet që bënte opozita shqiptare, akuzat në serinë e dytë, bazohen te parashtrimet që bën Ahmetaj.

Emrat për të cilët Rama pyetet nga gazetari janë ato të përmendur nga Ahmetaj (për kryeministrin në intervistë thjesht një burim informacioni si figurë politike e lartë shqiptare, pa emër).

“Epo ky burim, nuk mund të jetë kaq i besueshëm. Nuk do t’i besoja shumë dikujt që flet pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit”, i kthen ai përgjigje gazetarit.

Rama shpërfill akuzat e Ahmetajt, lëshuar gjatë emisionit italian Report

Akuzat i etiketon si gjysmë të vërteta, të cilat në vetvete nuk janë aspak të vërteta.

Ahmetaj shton edhe se Rama, supozohet të ketë thënë në mbledhje qeverie se kanabizimi i vendit është shtytje për ekonominë shqiptare, por që vetë Ahmetaj e kishte kundërshtuar ashpër këtë qëndrim.

“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen”, i përgjigjet vijimësisht Rama.

E prapë, nuk është ky problemi për të, por fakti se “një emision hetimor si Report, i transmetuar në kanalin shtetëror italian, vjen e hedh emra në një intervistë me të pa pasur prova për asgjë, por duke iu referuar personave të tjerë që i përflasin këto emra”.

Ndaj, për të kaluar te paralelja e emisionit, intervista e tij e gjatë dhe bruto me Report, e cila për të qenë të drejtë është transmetuar si në kanalin e Ramës në median sociale Facebook, ashtu edhe në ato të emisioni Report.

Aty tematika zhvendoset në një rrafsh tjetër, përtej përgjigjeve për çështjen kryesore…

Rama shpjegon pse e quajti ‘të neveritshëm’ dokumentarin e Report për Shqipërinë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shpjeguar për median italiane Rai 3 – për të parën herë për vetë emisionin italian Report në këtë kanal transmetimi – se pse vendosi ta quante “të neveritshme” një seri lidhur me Shqipërinë, ku ngrihej përshtypja se shteti shqiptar është i kapur nga mafia.

Sipas Ramës, nuk ka të bëjë aspak me faktin se emisioni Report, ka vendosur të bëjë një reportazh për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë sa i takon emigrantëve nga vendet e treta.

Nuk ka të bëjë madje as me faktin se emisioni ka vendosur që të trajtojë ecurinë e ngritjes së qendrave të emigrantëve në Shqipëri.

Por – thotë ai duke i qëndruar plotësisht pas deklaratës se emisioni ishte “i neveritshëm” – ka të bëjë me faktin që për një problem të brendshëm të Italisë, anatemohet Qeveria shqiptare në mënyrë aq të errët.

Kjo, për Ramën, deri në masën sa të hamendësohet se Qeveria italiane e Giorgia Melonit ka bërë marrëveshje “me një qeveri të errët, ku hyjnë e dalin personazhe tepër të zymta”.

Sipas kryeministrit shqiptar, këto gjëra që janë thënë në dokumentar janë të pavërteta dhe i gjithë dokumentari madje, ishte ndërtuar me gjysmë të vërteta.

Më tej, i pyetur për vetë marrëveshjen konkretisht, ai theksoi se ka qenë një kërkesë shumë miqësore e vetë kryeministres Meloni dhe Shqipëria nuk mund t’i thotë “jo” Italisë kur kjo e fundit i kërkon ndihmë.

Për më tej, vendi i vogël ballkanik që vetë e drejton, përshkruan Rama, ka bërë thjesht detyrën evropiane, edhe pse nuk mundet ta zgjidhë një problem të madh si emigracioni i jashtëligjshëm.

Madje ai edhe shtjellon se Shqipëria si një vend i tretë, ende jashtë Bashkimit Evropian, nuk është zgjidhja e gjithë problemit dhe as vendet e tjera si Shqipëria, të cilat janë partnere me Unionin.

Gjithsesi, mbeten pjesë e zgjidhjes së gjerë që e gjithë Evropa duhet ta gjejë me veten fillimisht e më tej me partnerët e vendeve të treta.

Po ashtu, kryeministri shtjelloi se edhe vende të tjera i kanë kërkuar më parë Shqipërisë ngritjen e kampeve të emigrantëve. Ato nuk janë pranuar dhe nuk do të pranohen ndonjëherë, shtoi ai.

I vetmi përjashtim ka qenë për Italinë, pasi futet në arsyetimin se mbetet një vend fqinj dhe sipas Ramës “Shqipëria dhe Italia praktikisht janë një”, në mënyrën se si ai i sheh gjërat.

Më pas, intervista është rikthyer në atë që përshkruhet nga Rai edhe si “narkoshtet”.

Por kjo sipas Ramës është krejtësisht qesharake, në kushtet kur vendi ka nisur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian dhe është një vend i monitoruar nga çdo anë prej strukturave evropiane. Ndaj, ai ngre pyetjen se “si mundet që një vend kandidat për në BE të etiketohet si një “narkoshtet”.

Shembujt janë edhe më konkretë në përshkrimin që bën kreu i Qeverisë shqiptare, duke përshkruar fjala bie se si porti i Roterdamit në Holandë është një zonë ku trafiku i drogës zhvillohet e përhapet më tej në gjithë Evropën.

Por Holanda nuk quhet narkoshtet në asnjë rrethanë, pavarësisht këtij fakti, teksa që Shqipëria të etiketohet si e tillë duket si fjalë goje sipas kryeministrit.

Mbi çështjen e vëllait të tij, Olsit, nga ana tjetër, i pyetur lidhur me faktin se edhe ai përmendet në emisionin e Report, Rama theksoi se edhe kjo qëndron në aspektin e “shpifur” të programit, pasi ai përmendet vetëm për faktin se është vëllai i kryeministrit shqiptar.

Rama shpjegoi më tej se si vëllai i tij tashmë është paditur në SPAK për dosjen e njohur si “Xibraka”, teksa nuk harroi të përmendë edhe faktin se vetë Olsi Rama, ka dorëzuar një padi për shpifje ndaj kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore