Shqipëria

Politika shqiptare kujton Shenjtërimin e Nënë Terezës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të dielën e 5 shtatorit, e ka nisur ditën duke kujtuar Shenjtërimin e Nënë Terezës.

Dukë e quajtur krenaria kombëtare Meta shkruan se, “shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi’.

Presidenti Meta, vijon më tej se, “për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore, ku çdo qytetar në nevojë gjen ndihmë, përkrahje, zgjidhje të halleve, përfshirje sociale, shanse dhe mundësi të barabarta”.

“Të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj!”, duke vënë theksin, Meta e përmbyll kujtimin e tij për të.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në një mesazh kujtimi shkruan se, “Nënë Tereza është krenaria e të gjithë njerëzimit, por më shumë dhe mbi të gjithë na bën krenar kombin e saj, ne, shqiptarët”.

Ruçi e quajti Shën Terezën heroinë të kohëve moderne që ka frymëzuar miliona njerëz.

“Nënë Tereza ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe dashurisë”.

Në përfundim Ruçi thekson faktin se Nënë Tereza, “na mësoi se dashuria dhe paqja fillojnë te familja dhe shpërndahen drejt gjithë njerëzve, në të gjithë planetin dhe se dashuria merr kuptim kur shprehet në shërbimin ndaj të tjerëve”.

Po ashtu i pari ishte kryeministri Edi Rama, që mëngjesin e ditës së diele, e nisi me një video për Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama në median sociale Facebook.

Përveç Kryeministrit dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar këtë ditë të shenjtë.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë krenarie kombëtare dhe reflektimi”, thekson Basha.

Më tej, në median sociale Twitter Basha, shkruan se, “mënyra më e mirë për ta nderuar Shën Terezën është shndërrimi i misionit të saj në misionin tonë, i shembullit të saj në frymëzim dhe nxitje për të bërë më shumë dhe me përulësi për ata që janë në nevojë e pa mbështetje”.

5-shtatori 2016, shënjon datën kur Nënë Terezës në 19-vjetorin e ikjes së saj nga kjo botë mori emrin e lavdishëm “Shën Tereza”.

Anjezë Gonxhe Bojaxhi, nuk është më pjesë e kësaj bote prej 24 vjetësh tashmë. Por, prej pesë vjetësh, ajo është shenjte e Vatikanit.

Prej tre vjetësh ndërkaq, në Shqipëri, shenjtërimi i saj festohet kombëtarisht, duke e kujtuar si një humaniste e nobeliste e rrallë ndër dekada.

Sot, urdhri i Nënë Terezës, është i shtrirë në mbi 100 vende të botës. Në shërbim, janë 4 mijë misionarë, të cilët frymëzohen nga vepra e saj.

Një shqiptare e shekujve – prej pesë vjetësh – edhe e shenjtëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore