Shqipëria

5 vjet shenjt


Emri i saj është pllakosur në historinë e katolicizmit si një ndër shenjtët e Kishës Katolike, e cila në 19-vjetorin e ikjes së saj nga kjo botë, mori edhe emrin e lavdishëm, duke u njohur prej 5 shtatorit 2016, si Shën Tereza.

Anjezë Gonxhe Bojaxhi, nuk është më pjesë e kësaj bote prej 24 vjetësh tashmë. Por, prej pesë vjetësh, ajo është shenjte e Vatikanit.

Prej tre vjetësh ndërkaq, në Shqipëri, shenjtërimi i saj festohet kombëtarisht, duke e kujtuar si një humaniste e nobeliste e rrallë ndër dekada.

Veprimtarinë kryesore të saj, ajo e zhvendosi në Indi, në qytetin e Kalkutës.

Misionare e palodhur për vjet e vjet radhazi, misioni i saj ishte dhurimi i dashurisë dhe shërbimi i përulur ndaj më të varfërve.

Titullin më të lartë të katolicizmit, ajo e mori kur në sheshin “Shën Pjetër” të Romës, Papa Françesku njohu dy mrekulli në shërimin e të sëmurëve. E gjitha, nëpërmjet lutjeve të saja.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Këto do të ishin fjalët e Anjezës ndër vite shërbimesh ndaj të varfërve.

Sot, urdhri i Nënë Terezës, është i shtrirë në mbi 100 vende të botës. Në shërbim, janë 4 mijë misionarë, të cilët frymëzohen nga vepra e saj.

E përulur siç ishte ajo përpara të thjeshtëve, ashtu ishin dhe pushtetarët përpara saj. Të panumërt ata të cilët e takonin, puqeshin në një pikë të vetme.

“Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Një shqiptare e shekujve – prej pesë vjetësh – edhe e shenjtëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore