Lajme

Politico: Ultra-nacionalistët serbë shpresojnë te fitorja e Putin’it për ta “gëlltitur” Kosovën


Foto/Ilustrim

Kompania mediatike “Politico”, në një artikull të publikuar me titullin “E djathta ekstreme serbe për luftën e Putin’it për të shtyrë drejt rimarrjes së Kosovës”, ka shkruar mbi protestat e të djathtës ekstreme në Serbi kundër propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Politikanët në krahun e djathtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç kanë nuhatur një mundësi për të lidhur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës me dëshirën e tyre për të gëlltitur Kosovën”, shkruan prestigjiozja amerikane.

Fitorja e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë është një hap për Serbinë që ta rifitojë Kosovën, tha Misha Vaçiç, lideri i të “Djathtës Serbe” – partisë politike ultra-nacionaliste dhe pro-Kremlinit.

“Duhet të jemi të durueshëm dhe duhet të presim të përfundojmë në Ukrainë dhe pas kësaj do të kemi kohë të mjaftueshme”, tha ai, teksa autori Bennett Murray theksoi se ultra-nacionalistët serbë po e përdorin agresionin rus për të “galvanizuar fushatën e tyre kundër pavarësisë së Kosovës”.

Çedomir Stojkoviç, një avokat me qendër në Beograd që heton ndikimin rus në Serbi, tha se ofensiva e ngecur e Putin-it ka shfryrë edhe ultra-nacionalistët serbë që shpresonin të “rikthenin Kosovën”.

“Serbët ishin shumë të pasionuar sepse prisnin që Putini do të rrëzonte Ukrainën brenda tre ditësh dhe pas kësaj ata menduan se ai do të thoshte se ne duhet ta kthejmë Kosovën për Serbinë”, tha ai.  

“Por me kalimin e kohës, pasi lufta nuk ndodhi ashtu siç prisnin njerëzit, ato pritshmëri filluan të ndryshojnë dhe tani për shkak se ka disonancë njohëse, nuk ka pasion,” shtoi ndër të tjera Stojkoviç.

Ndryshe, ekspertët perëndimorë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për potencialin përçarës të shkaktuar nga aleatët e ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi të cilët kanë ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore