Lajme

Politico: Askujt s’i intereson çfarë mendon Evropa – kur ngriten tensionet në Kosovë thërret SHBA-të


Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Gazeta e njohur amerikane “Politico” në një artikull të fundit ka shkruar në lidhje me impotencën e Bashkimit Evropian (BE) për t’i zgjidhur problemet në kontinent, duke përfshirë harkun e krizës që shtrihet nga marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë në Azerbajxhan e Armeni e deri në konfliktin e fundit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe krijimi i BE-së, amerikanët dhe evropianët kanë trajtuar në mënyra të ndryshme prioritetet strategjike në politikën e jashtme. Prandaj, sipas artikullit të prestigjozes amerikane, mund të konkludohet se “iluzionet gjeostrategjike” janë shkatëruar ditët e fundit dhe konstatimi duhet të jetë: Askujt nuk i intereson se çfarë mendon Evropa.

“Askujt nuk i intereson se çfarë mendon Evropa. Evropa, përmes një sërë pikash shpërthyese globale nga Nagorno-Karabaku në Kosovë e deri në Izrael, është zhvendosur në rolin e një Organizate Jo-Qeveritare me qëllime të mira, kontributet humanitare të së cilës janë të mirëseardhura, por përndryshe injorohet”, thuhet në artikullin e gazetës amerikane.

Një shembull i pafuqisë gjeopolitike të Evropës, përveç rajonit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakut të banuar me shumicë armene në Azerbajxhan, sipas gazetës amerikane, një model i ngjashëm ka ndodhur edhe në Kosovë, ku eurokratët në Bruksel janë përpjekur për vite me radhë të ndërmjetësojnë një paqe të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe serbëve.

Në artikulli ndër të tjera thuhet se Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndonëse ka mbushur tri vjet në këtë pozitë, nuk ka arritur të zgjidhë ngërçin në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndërsa Kosova dhe Serbia konsiderohen të jenë më shumë se kurrë më parë larg njëra tjetrës.

Duke iu referuar tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, ku paramilitarët serbë kryen akte agresioni në fshatin Banjë të Zveçanit, gazeta amerikane shkruan se, ashtu siç rëndom ndodhë, përfaqësuesit evropianë përdorën “mekanizmin e provuar” të zgjidhjes së krizave: Xha Semin.

“Kur tensionet kërcënuan të kalonin në luftime të totale pas një inkursioni në veri të Kosovës nga paramilitarët serbë muajin e kaluar, megjithatë, BE-ja u detyrua të përdorte mekanizmin e saj të prvuar dhe të vërtetë të zgjidhjes së krizave: Xha Semin”, shkruan gazeta e njohur amerikane.

Xha Semi është personifikimi i përbashkët kombëtar i qeverisë së SHBA-ve. Që nga fillimi i shekullit të 19-të, ai ka qenë një simbol popullor i ekzekutivit amerikan në kulturën e SHBA-ve dhe një manifestim i emocioneve patriotike. Artikulli i “Politico” veçon qasjen e furishme të amerikanëve për të zgjidhur problemet për shkak të kapaciteve që zotëron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore