Shqipëria

Policia zhvillon aksion të madh për sigurinë detare, bllokohen 11 mjete


Nisja e sezonit turistik në Shqipëri ka mare edhe fillimin e monitorimit intensiv të hapësirës detare, për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Ky ka qenë edhe një plan i prezantuar më herët nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka kërkuar nga strukturat e rendit të mos ketë asnjë tolerim gjatë sezonin dhe të kryhen monitorime të vazhdueshme.

Kështu, vetëm gjatë kësaj fundjave, 11 mjete lundruese janë bllokuar, duke përfshirë zona si Dhërmiu në jug, apo liqeni i Komanit në veri.

Mes tyre, janë katër motorë uji, një skaf, një gomone dhe pesë motovarka artizanale.

Të gjitha këto mjete u konstatuan të vepronin në paligjshmëri dhe drejtuesit e tyre, u ndëshkuan me masa administrative, të cilat  varionin nga 10 mijë lekë deri në 200 mijë lekë.

Në Durrës ndërkaq, kapiteni i një motopeshkarexhe libiane, është ndëshkuar me masë administrative prej 300 mijë lekësh.

Në Dhërmi, në Durrës dhe në Shëngjin shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar tre mjete lundruese ‘Jet Ski’, që lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit.

Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masë administrative nga 100 mijë lekë secili.

Në Palasë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar një tjetër mjet lundrues ‘Jet Ski’, pasi pronari i këtij mjeti, e ushtronte aktivitetin e dhënies me qira të mjeteve lundruese, pa u regjistruar në organet kompetente.

Gjithashtu në Dhërmi, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me masë administrative 20 mijë lekë, pronarin e një mjeti lundures skaf, pasi nuk kishte dokumentacionin përkatës për të dalë në det.

Ndërkaq, në Radhimë, Vlorë, këto shërbime kanë ndëshkuar me masë administrative 100 mijë lekë, pronarin një mjeti lundrues gomone, pasi ishte  bregëzuar në zonë të ndaluar, pranë vijës bregdetare të plazhit.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Shkodrës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, kanë vijuar kontrollet në liqenin e Komanit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve dhe turistëve, që përdorin mjete lundruese për turizëm ditor.

Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bllokuar pesë varka artizanale dhe kanë ndëshkuar administratorët e tyre, me masë administrative nga 10 mijë lekë secili.

Njoftim ka pasur ndërkaq se këto vrojtime do të vazhdojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe do të ketë kontrolle të shtuara edhe në zona të tjera liqenore, apo lumore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore