Lajme

Policia suedeze lejon tubimin ku planifikohet të digjet Kurani


Policia suedeze ka autorizuar një tubim të mërkurën e 28 qershorit para xhamisë më të madhe të Stockholm-it, ku organizatorët planifikojnë të djegin një kopje të Kuran-it në ditën e parë të festës më të rëndësishme në kalendarin mysliman, Kurban Bajramin.

“Policia e autorizon mbledhjen” sepse “rreziqet e sigurisë” që lidhen me djegien e Kuranit “nuk janë të tilla që ta ndalojnë atë”, shkroi ajo në vendimin e saj.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Tubimi do të zhvillohet në orën 13:30 përballë Xhamisë së Madhe të Stokholmit, ku policia po monitoron zonën, vuri në dukje një gazetar i AFP-së.

Tema është e ndjeshme në Suedi ku një demonstratë në janar, gjatë së cilës u dogj një Kuran para ambasadës turke në Stockholm, zgjoi zemërimin e Turqisë, e cila po bllokon kandidaturën e vendit skandinav për në NATO.

Në kërkesën e tij për një demonstratë të konsultuar nga AFP-ja, organizatori i tubimit të së mërkurës, Salwan Momika, 37 vjeç, tha se donte të “shprehte (të tij) mendimin rreth Kuran-it”.

“Do ta gris Kuranin dhe do ta djeg”, ka shkruar ai.

Mbajtja e dy tubimeve të ngjashme më 6 dhe 9 shkurt, ku do të shiheshin kopjet e librit të shenjtë të Islamit duke u djegur, ishte refuzuar nga policia e Stockholm-it, e cila ishte thirrur për rrezikun e prishjes së rendit publik.

Demonstruesit apeluan vendimin dhe një gjykatë administrative vendosi në favor të tyre në fillim të prillit.

Në mesin e qershorit, gjykata administrative e apelit konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke treguar se rreziqet e sigurisë të paraqitura nga policia “nuk kishin një lidhje mjaftueshëm të qartë” me grumbullimet në fjalë.

Mbi këtë bazë policia suedeze mori vendimin e saj të mërkurën, vetëm pak ditë para samitit të Vilniusit, më 11 dhe 12 korrik, ku Stockholm-i shpreson për progres për hyrjen e saj në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore