Shqipëria

Policia shkon ta arrestojë, Llalla nuk gjendet në banesë


Shtëpia e Adratik Llallës

Policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit si masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por Adriatik Llalla, nuk ishte në shtëpi!

Ndërkohë sipas burimeve zyrtare për Albanian Post, tashmë ai është vënë në kërkim kombëtar.

Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit, qëndroi në këmbë edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi.

Dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.

Është ky dënimi që ish-kreu i Prokurorisë, duhet të kryejë.

Avokati i tij, Sokol Hazizaj, pasi doli nga seanca gjyqësore e 22 shtatorit, ku Llalla nuk ishte sërish i pranishëm për arsye të pretenduara shëndetësore, deklaroi publikisht, se nuk kishte dijeni mbi vendodhjen e ish-kryeprokurorit.

Madje, ai shtoi se kishte disa kohë që nuk e kishte parë. Hera e fundit kur kishte kontaktuar, ishte me rastin e dhënies së një raporti mjekësor, ku shkruhej se Llalla, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancë, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Një sëmundje, e cila Llallën, minimalisht, nuk e ka lënë në shtëpi. Maksimalisht, ka hipoteza se ai mund të jetë jashtë shtetit, edhe pse e kishte të ndaluar të lëvizte, deri në marrjen e vendimit ndaj tij.

Pas kontrolleve të shtëpisë së Llallës në Tiranë, Policia u largua duarbosh. Por vendimi mbi ish-kryeprokurorin, mbetet i caktuar.

Ndërsa, avokati i tij, vijon historinë e njëjtë: Kjo masë e marrë ndaj klientit, do të apelohet sërish.

Por “saga” Llalla, rrënjët e fillimit i ka disa vjeçare.

Akuzat ndaj Llallës

Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK. Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Apel pas Apeli

Më 20 maj 2021, Adriatik Llalla do të dënohej nga Gjykata e Posaçme me dy vjet burgim dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post publik.

Ky vendim do të vinte pasi në shkurt 2021, Gjykata e Lartë pati vendosur të sekuestronte disa pasuri të ish-kryeprokurorit.

Por ai nuk do ta pranonte vendimin dhe do ta apelonte më 3 qershor 2021. Seanca e radhës, u caktua në korrik.

Megjithatë, në çështjen e 16 korrikut të vitit 2021, avokati mbrojtës i Llallës, Hazizaj, u bë shkak për shtyrjen e vendimit. Ai mungoi pa arsye, për çka u gjobit edhe me 20 mijë lekë.

Seanca u shty me dy javë, për në 30 korrik, po ajo sërish nuk u zhvillua. Shkak u bë sërish mungesa e ish-kryeprokurorit, por këtë herë, ai e arsyetoi mungesën me gjendjen shëndetësore jo të mirë.

Më 9 shtator, avokati Hazizaj paraqiti disa prova të reja në mbrojtje të klientit të tij. Këto prova gjithsesi, GJKKO-ja nuk i pranoi. Ndaj, për një vendim përfundimar, çështja u shty më 22 shtator.

Llalla sërish nuk ishte në seancë, me pretendimin se ishte në gjendje të keqe shëndetësore.

Pikërisht 22 shtatori, do të ishte edhe vula e Apelit, i cili përtej mungesës së ish-kryeprokurorit, e la në fuqi dënimin ndaj tij, duke i hapur rrugë policisë për të zbatuar vendimin e arrestimit.

Një dënim që erdhi, por jo me arrestim, pasi Llalla nuk gjendej në banesë.

Peshku i parë i madh

Ndër mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, kanë qenë SHBA-të. Fillimisht me ambasadorin Donald Lu, e më pas me pasardhësen e tij, Yuri Kim, SHBA-të ka ushtruar trysni të fortë për të parë arritjet e kësaj reforme.

Do të ishte ambasadori Lu, ai i cili do të përpunonte fillimisht termin “peshqit e mëdhenj” në rrjetën e drejtësisë.

Por do të ishte Kim, ajo e cila do të shihte frytet e para të drejtësisë së re.

Pikërisht vendimi i 22 shtatorit, i cili lë në fuqi masën për Llallën, e ka bërë ambasadoren t’i adresohet qytetarëve nëpërmjet Twitter-it.

“Është mirë kur shohim drejtësinë e vënë në vend ndaj zyrtarëve të korruptuar”, shkruan Kim.

Ndërsa inkurajimi i saj për prokurorët, që të vazhdojnë punën e nisur, nuk mungon kurrsesi, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

Gjithsesi, një reagim i radhës duhet parë, nëse mungesa e arrestimit të Llallës, do të jetë shkas për një tjetër mesazh të ambasadores ndaj drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore