Lajme

Policia nis hetimet për vdekjen e foshnjës që lindi në banesë


Klinika Gjinekologjike në QKUK.

Policia e Kosovës, ka nisur hetimet mbi vdekjen e një foshnje në Prishtinë, pasi që nëna ka lindur në banesën e saj e më pas foshnja është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes raportit 24-orësh, derisa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Ndërsa, rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

“Nga Klinika e Gjinekologjisë është pranuar informata për një vdekje të një foshnje e cila ishte pranuar në klinikë më datë 16.10.2023 rreth orës 06:15”.

“Lidhur me rastin është intervistuar dëshmitari mashkull kosovar i cili ka deklaruar se më datë 15.10.2023 rreth orës 21:30 motra e tij e ka lindur foshnjën në banesën e saj dhe më pas është dërguar në QKUK. Në konsultim me prokurorin kujdestar trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e plotë.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), kanë deklaruar se janë duke e përcjell rastin dhe do të dalin me komunikatë.

Për rastin ka dëshmuar vëllai i gruas që ka lindur.

Ndërsa në Gjakovë, një person ka raportuar se ka gjetur vëllain e tij pa shenja jete në shtëpi.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar në shtëpinë e tij nga vëllai i tij, dëshmitari mashkull  kosovar, ishte gjetur pa shenja jete vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore