Lajme

Policia konfirmon raportimin e AP-së: Po asistojmë kryetarët e komunave veriore për qasje në objektet komunale


Policia e Kosoves

Rreth një orë pas raportimit të Albanian Pot, Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin se ka ndërmarrë aksion për asistimin e kryetarëve të ri të komunave veriore që të vendosen në objektet komunale.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në komunikimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post pak orë më parë ka raportuar mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë, institucionet e Kosovës janë të vendosura të vazhdojnë me planin.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda qeverisë së Kosovës se tashmë ka urdhër që të rikthehen objektet komunale.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar udhëheqësit e strukturave paralele në Veri “të mos qëllojnë të parët”, pas planit operativ të Policisë së Kosovës për të marrë objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto informacione kanë ardhur tek perëndimorët, konfirmon një burim ndërkombëtar për Albanian Post.

I njëjti burim thotë se tashmë nga pala serbe është aktivizuar protokolli i sigurisë.

“Beogradi ka aktivizuar protokollin e vetë të sigurisë, urdhri është ‘Don’t shoot first (mos qëlloni të parët)”, ka treguar burimi për AP-në.

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore