Shqipëria

Policia e Shtetit: Notë pozitive dy ditëve të para të fillimvitit


Policia e Shtetit të dielën e 2 janarit ka bërë një bilanc duke e vlerësuar me notë pozitive situatën e dy ditëve të para të fillmvitit 2022.

Sipas njoftimit në të gjithë vendin, në akset rrugore interurbane, urbane, por dhe në akset rurale, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet e shtuara, duke përdorur makinën inteligjente, dronë, radarë, alkooltestues, kamera e mjete të paloguara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe dy ditëve të para të vitit të ri, nuk është evidentuar asnjë aksident rrugor me pasoja të rënda për jetën, nuk është evidentuar asnjë ngjarje e rëndë kriminale, nuk ka pasur asnjë person të dëmtuar rëndë nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe nuk është evidentuar asnjë konflikt fizik me pasoja të rënda për jetën.

E gjitha kjo ka ardhur, “falë masave të marra nga ana e Policisë së Shtetit, por edhe qytetarisë së treguar, pasi shumica e qytetarëve i janë përgjigjur apelit të Policisë, për të mos përdorur fishekzjarrë, për të mos drejtuar mjetin në gjendje të dehur gjatë ditëve festive, por të përdorin mjetet e transportit publik, si dhe për të shmangur konfliktet pas përdorimit të alkoolit gjatë ditëve festive”.

Po ashtu ajo njoftuar se ora policore që prej datës 1 janar do të vijojë nga 23:00-06:00.

“Policia e Shtetit sqaron të gjithë qytetarët që ora policore është në fuqi pas datës 1 janar dhe apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit”, vijonte njoftimi.

Në përfundim ajo ka apeluar edhe një herë për të gjithë drejtuesit e automjeteve, “që të zbatojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor, të ruajnë distancën, të mos shpejtojnë duke kryer parakalime të gabuara apo të qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, të vendosin rripin e sigurimit”.

“E gjitha kjo pasi të gjitha akset rrugore janë të monitoruara nga patrullat e Policisë Rrugore që janë në lëvizje me mjete të paloguara, janë të monitoruara me radarë, dronë, kamera dhe aparate forografike”, përmbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore