Lajme

Policia e Kosovës: Radoiçiçi prapa laboratorëve të kanabisit në veri


Millan Radoiçiç

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka thënë se rezultatet e hetimeve kanë zbuluar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, është personi kryesor prapa laboratorëve të kanabisit në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Në dy raste janë ngritur aktakuza, ka raportuar BIRN-i, ndërsa për rastet tjera hetimet janë ende në vazhdim. Një numër i madh i personave janë arrestuar, shumica serbë etnikë nga Kosova, por në një rast tjetër, rreth 90 për qind kanë qenë nga Serbia. Elshani ka thënë se shumica kanë qenë nën kontrollin e Radoiçiçit, autorit të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri.

Megjithatë, sipas organeve të rendit dhe burimeve të BIRN-it, ndikimi i Radoiçiçit është zvogëluar jashtëzakonisht shumë pas ngjarjeve të 24 shtatorit. Elshani ka theksuar laboratorët në veri të Kosovës kanë rreth dy vite që janë në funksion. Madje, dy prej tyre kanë punuar në një distancë prej rreth 100 metra nga ndërtesa e gjykatës dhe policisë në Mitrovicën e Veriut.

Përderisa beteja midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka qenë kryesisht e përqendruar në çështjen e targave, ka shkruar BIRN-i ndër të tjera, miliona euro janë investuar në pajisjen e zonave për kultivimin e kanabisit. Laboratorët e kanabisit në veri të Kosovës janë hapur veçanërisht nga bashkëpunëtorët e Radoiçiçit.

Burime të BIRN-it nga Policia e Kosovës kanë thënë se gjatë përgjimit dhe monitorimit të të dyshuarve në aktivitete ilegale, kanë marrë informacione se rol në sigurimin e kontrabandës të narkotikëve kanë luajtur edhe barrikadat e organizuara në dhjetor të vitit të kaluar nga serbët lokalë.

Vetëm gjatë muajve të kaluar të këtij viti disa laboratorë të kanabisit janë shkatërruar në veri të Kosovës, ku, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, vlera e llogaritur e sasisë së lëndëve narkotike dhe pajisjeve është rreth qindra miliona euro, ndërsa Inciativa për Luftimin e Krimit të Organizuar Transnacional ka vlerësuar se kapin vlerën prej 28 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore