Lajme

Policia e Kosovës parandalon dy raste të kontrabandimit të pulave nga Serbia


Ilustrim

Policia e Kosovës njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp se të shtunën ndaloi dy raste të kontrabandimit të pulave nga Serbia në Kosovë – njëri rast në Zhabar të Mitrovicës, ndërsa tjetri në Bube të Zubin Potokut.

Në rastin e parë rreth orës 1 pas mesnate në fshatin Zhabar të Mitrovicës është ndaluar një kamion me targa të Kosovës dhe janë gjetur 200 pula të kontrabanduara nga Serbia, njoftoi policia të dielen në mëngjes.

“Rreth orës 01:00, në fshatin Zhabar-K.K. Mitrovicë, është ndaluar kamioneta Volkswagen LT46, ngjyrë kaltër mbyllur, me targa RKS (02), me rreth 200 (dyqind) pula të kontrabanduara nga territori i Serbisë, me vozitës E.M., mashkull/kosovar, 37-vjeçar, me banim në Mitrovicë”.

E në rastin e dytë në fshatin Bube të Zubin Potokut është ndaluar një kamionetë e tipit Mercedes Benz – gjithashtu me targa të Kosovës – ndërsa i janë gjetur 550 pula të kontrabanduara nga territori serb.

“Rreth orës 18:30, në fshatin Bube-K.K. Zubin Potok, është ndaluar kamioneta Mercedes Benz, ngjyrë e gjelbër, me targa RKS (02), me rreth 550 (pesëqind e pesëdhjetë) pula të kontrabanduara nga territori i Serbisë, me vozitës H.B., mashkull/kosovar, 50-vjeçar, me banim në Mitrovicë”.

Policia e Kosovës shtoi se kamionetat dhe malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtejme nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore