Lajme

Policia e Kosovës: Operacion policor në luftë kundër kontrabandës, edhe në Mitrovicën e Veriut


Mitrovica Veriore, serbët kanë bllokuar rrugët

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një aksion policor në nivel vendi, në luftë kundër kontrabandës së mallrave.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar “janë angazhuar edhe Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”.

Zyrtarëve policorë dhe doganorë, në ndihmë u kanë dalë edhe njësitet elite të Policisë së Kosovës, të cilat janë parë duke patrulluar nëpër rrugët e lagjes së boshnjakëve.

Policia ka hasur në rezistencë të qytetarëve serbë, të cilat janë grumbulluar në rrugë dhe po kundërshtojnë aksionin e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore