Shqipëria

Policia çmontoi 155 kamera të kundraligjshme në Tiranë


Policia e Shtetit ka çmontuar në Tiranë 155 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin gjatë fazës së nëntë të planit operacional policor të koduar “Fijet”.

Kjo e fundit, u iniciua disa javë më parë në Shkodër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, dhe më pas u shpërnda në të gjitha qarqet e vendit.

Autoritetet bënë me dije se në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, kanë përfunduar 37 shtetas të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundraligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, këto kamera ishin vënë në disa lagje të kryeqytetit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Gjatë fazës së nëntë të këtij plani operacional u shtri në rrugët: “Mustafa Grablleshi”, “Pasho Hysa”, “Gani Domi”, “Muharrem Zalli”, “Sali Nivica”, “Mihal Grameno”, “Brigada 8”, “Ylbere Bylykbashi”, “Irfan Tomini”, “Anastas Shundi”, “Shyqyri Berxolli”, “Jusuf Gervalla”, “Maliq Muço”, “Sulejman Pasha”, “Myslym Keta”, “Thoma Filipeu”, “5 Maji”, “Ali Baushi”, “Dalip Topi”, “Kongresi i Manastirit”, “Skënder Vila”, “Muhamet Deliu”, “Qemal Stafa”,  “Besa”, “Marie Logoreci”, “Sarina”, “Kasem Qafzezi”, bulevardin “Bajram Curri” dhe Rrugën e Dibrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Një operacion i tillë u ndërmor në Korçë 24 orët e fundit, ku nëntë kamera sigurie janë sekuestruar, si edhe janë nisur procedurat e hetimit të thelluar ndaj pesë shtetasve.

Zëdhënësi i policisë, Gentian Mullaj sqaroi më herët se janë sekuestruar 185 kamera në pesë qytete të vendosura nga grupet kriminale.

Ai tha se kamerat janë sekuestruar në Durrës, Fier, Korçë, Gjirokastër e Dibër, ndërsa shtoi se janë nën hetim 22 persona të cilët janë dhe pronarët e kamerave.

Megaoperacioni “Fijet” zbulon sërish kamera sigurie të jashtëligjshme në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore