Shqipëria

Megaoperacioni “Fijet” zbulon sërish kamera sigurie të jashtëligjshme në Shqipëri


Nuk ka të ndaluar operacioni i madh i koduar “Fijet”, ndërmarrë nga Policia e Shtetit në gjithë territorin e vendit, ku kamera të shumta sigurie, të vendosura në mënyrë të jashtëligjshme nga grupe të mëdha kriminale, me qëllim mbikëqyrjen e lëvizjeve policore, janë sekuestruar.

Një i tillë është ndërmarrë në Korçë 24 orët e fundit, ku nëntë kamera sigurie janë sekuestruar, si edhe janë nisur procedurat e hetimit të thelluar ndaj pesë shtetasve.

Mirëpo, më i madhi i shënuar deri më sot, është ai i zhvilluar në Tiranë së fundmi, ku 60 kamera sigurie janë çmontuar në Tiranë, me aksionin e parë të nisur nga Komisariati nr.1 i Policisë kryeqytetase.

Sipas dyshimeve të para, kamerat janë vendosur nga grupime kriminale dhe nga persona të dyshuar dhe me precedentë penalë.

Pesë kamera janë çmontuar në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, në banesën e shtetasit E.K., i cili më parë ka qenë i dënuar për vrasje.

Gjashtë të tjera, janë hequr pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, po në zonën e Ali Demit.

Më pas, aksioni është zhvendosur, duke angazhuar edhe komisariatet e tjera, me katër kamera të çmontuara në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve, 10 të tjera në Laprakë, disa në zonën e Rrugës së Kavajës dhe atë të Rrugës së Elbasanit, apo edhe 20 të tjera në zonën e Xhamllëkut.

Në zona të tjera si lagjja “5 maji”, Fresku, Yzberishti apo Fushë Mëzezi, janë sekuestruar pesë kamera të tjera.

Mirëpo, duke parë edhe përhapjen e tyre në gjithë hapësirën e kryeqytetit, aksioni nga komisariatet do të vijojë intensivisht, për sekuestrimin e gjithë këtyre kamerave të jashtëligjshme, të cilat monitorojnë për hir të grupeve kriminale.

Aksioni i parë nisi në Shkodër disa javë më parë, teksa është shtrirë tashmë nga veriu në jug.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore