Lajme

Policia britanike dhe Forca Kufitare do të mbeten të bllokuara nga databaza e kriminelëve të BE-së


Policët e vijës së parë dhe oficerët e forcave kufitare do të mbeten të bllokuar nga informacioni mbi bazën e të dhënave kyçe të Bashkimit Evropian për të dyshuarit për terrorizëm, kriminelët dhe shkelësit e imigracionit për të paktën katër vjet të tjerë.

Kështu ka pranuar në heshtje Ministria e Brendshme britanike.

Policia britanike dhe shërbimet e sigurisë kanë kryer më shumë se 600 milionë kontrolle në kohë reale në Sistemin e Informacionit Shengen II (SIS II) në vitin 2019.

Por vitin që pasoi e humbën aksesin në informacionin e menjëhershëm mbi policimin, sigurinë kombëtare ose alarmet e imigracionit për shkak të Brexit-it.

Një nëpunës civil ka treguar se në vitin 2020 shpresonin të merrnin akses në një platformë të re të paralajmëruar për zbatimin e ligjit ndërkombëtar të BE-së “brenda dy ose tre viteve”.

Por tani ka dalë se Matthew Rycroft, sekretari i përhershëm i departamentit, ka thënë se marrja e aksesit në grupet e të dhënave të BE-së është në “një fazë shumë të hershme” dhe nuk pritet të përfundojë para vitit 2028.

Duke iu përgjigjur dokumentit, sekretarja e brendshme në hije Yvette Cooper ka thënë se konservatorët e kanë dobësuar keq armatimin e vendit në luftën kundër krimit ndërkufitar.

“Ministrat duhet të punojnë urgjentisht me vendet e tjera evropiane për të arritur marrëveshje të reja të sigurisë”, ka thënë ajo.

Në një dokument të ngarkuar javën e kaluar në faqen e internetit të Home Office në lidhje me Platformën Ndërkombëtare të Paralajmërimeve për Zbatimin e Ligjit, Rycroft ka thënë se departamenti është në një afat më të gjatë “duke u fokusuar në një zgjidhje të mundshme shumëpalëshe me BE”.

Mbretëria e Bashkuar iu bashkua SIS II në prill 2015.

Çka siguroi një mekanizëm që shtetet anëtare të BE-së të ndajnë dhe të veprojnë mbi të dhënat në kohë reale për personat dhe objektet me interes, duke përfshirë personat e kërkuar dhe të zhdukur.

Duke përdorur sistemin, stafi i Forcave Kufitare dhe policia mundën të kërkonin emrat dhe identitetet e pasagjerëve, të dyshuar për viktima të dyshuara trafikimi në kohë reale në pajisjet e dorës.

Zëvendës ndihmëskomisioneri Richard Martin, i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë, u ka thënë deputetëve se në vitin 2019 policia e Mbretërisë së Bashkuar kontrolloi SIS II “603 milionë herë”.

Pas Brexit-it, qeveria u detyrua të shkëputej nga SIS II, por pohoi se po kërkonte një marrëveshje të ardhshme për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, që ofronte “aftësi të ngjashme me ato të ofruara nga SIS II”.

Qeveria po zhvillon një sistem të ri – të quajtur Platforma Ndërkombëtare e Paralajmërimeve për Zbatimin e Ligjit, ose I-LEAP – përmes të cilit autoritetet britanike mund të përdorin informacione nga Interpoli.

Dhe është vlerësuar të kushtojë rreth 90 milionë paund gjatë 10 viteve.

Zyra e Brendshme ka insistuar se përdorimi i të dhënave të Interpolit po funksionon mirë dhe se nuk ka rrezik për sigurinë publike.

Pavarësisht kësaj, Rycroft ka thënë se qeveria është ende duke kërkuar akses në të dhënat e BE-së, të cilësuara si “Faza 2” në dokument, dhe beson se një propozim i BE-së për qasje reciproke në të dhënat mbi sigurinë mund të publikohet deri në fund të këtij viti.

Duke pranuar vonesën, ai ka thënë se “afati kohor për dorëzimin është zgjatur për ‘Fazën 2’ për të pasqyruar kompleksitetin e njohur të angazhimit në një nivel të gjerë të BE-së dhe kohëzgjatjen që do të duhej për të negociuar dhe për të siguruar një marrëveshje mbi një zgjidhje të mundshme me BE”.

“Teksa kjo përfaqëson një rritje të afatit kohor të përgjithshëm të programit, aftësia për të marrë alarme ndërkombëtare nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të sjellë një nivel dukshëm më të madh të përfitimit reciprok”, ka thënë ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore