Sport

Pogba i nënshtrohet operacionit, rrezikon Kupën e Botës


Paul Pogba më në fund iu nënshtrua operacionit në gju. Në klubin e Juventus-it deklaruan se operacioni u krye me sukses, por Pogba pritet të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme.

“Paul Pogba iu nënshtrua operacioni në gju. Operacioni i kryer nga Prof. Roberto Rossi në prani të mjekut të ekipit të Juventus-it, Luca Stefanini shkoi me sukses”, thuhet në deklaratën e klubit të Juventus-it.

Francezi ishte dëmtuar në ndeshjet miqësore para-sezonale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me skuadrën e tij, Juventus-in.

Por, fillimisht Pogba vendosi ta shtynte operacionin, duke shpresuar që gjendja e tij të përmirësohej me terapi dhe mos ta humbiste Kupën e Botës me Francën që do të fillojë në muajin dhjetor.

Rikuperimi i ish-mesfushorit të Manchester United-it do të zgjasë së paku gjashtë javë, pra që do të thotë se ai mund të rikthehet në ngjarjen më të rëndësishme të futbollit me kombëtaren e tij, por forma e tij dhe ftesa eventuale nga përzgjedhësi francez, Didier Deschamps, do të jenë në dyshim.

Kjo pasi që Pogba pas gjashtë apo shtatë javësh nuk dihet se a do të jetë në formën më të mirë të tij menjëherë pas kthimit nga lëndimi.

Gjithashtu edhe trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, ka dyshime që mesfushori i tij të kthehet para muajit janar.

Ai në konferencën për media shpreson ta ketë të gatshëm Pogba-n në janar, e aspak nuk brengoset se a do të jetë i gatshëm për Kupën e Botës.

“Nuk e di nëse ai do të luajë në Kupën e Botës, por nuk është problemi im, e di që ai do të kthehet në janar për Juventus-in”, tha Max Allegri në një konferencë për shtyp para ndeshjet së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.

Paul do t’i humbasë së paku nëntë ndeshje në kampionët, përfshirë edhe ato të rëndësishmet me Milan-in, Inter-in e Lazio-n, si dhe tre ndeshje në Ligën e Kampionëve.

Kujtojmë që Pogba ende nuk e ka asnjë ndeshje zyrtare me Juventus-in që prej se iu bashkua bardhezinjve në afatin e fundit kalimtar veror me parametra zero nga Manchester United.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore