Lajme

“Po ta dija, do ta thosha” – Albulena Haxhiu e pranon që s’ka asnjë provë për “vrasjen e Astrit Deharit”


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pranuar në konferencë për media që ajo nuk e ka asnjë fakt, provë, apo emër të ndonjë personi që lidhet si fajtor me vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, rast për të cilin kishte thënë më parë se ekzistojnë faktet, por vetëm Prokuroria nuk po reagon.

“Po ta kisha emrin e kryerësit, apo kryerësve të veprës penale unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet. E kjo është puna e tij (e prokurorit), për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve. Punën e tij unë s’mund ta bëj. Madje ju e dini që mua shpesh më thonë që nuk je prokurore”, deklaroi Haxhiu.

Ajo konferencën për media e mbajti pasi u ftua nga prokuroria të dëshmojë se cilat qenkan ato prova të cilat po ekzistuakan dhe për të cilat nuk po lëvizë prokuroria e shtetit.

Haxhiu, duke mos pasur ndonjë fakt, apo detaj që tregon për vdekjen e Deharit, foli për dyshimet e saj se përse ajo u ftua të dëshmojë tani, kur edhe në të kaluarën kishte bërë deklarime të ngjashme.

“Nuk ishte hera e parë që kam thënë diçka të tillë publikisht. Por, shtrohet pyetja se përse reagoi tash, pse jo më herët. Po ashtu, a e ka reaguar njësojë prokurori special ndaj atyre zyrtarëve që kanë thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë”, deklaroi Haxhiu, duke anashkaluar faktin se ishte version zyrtar i institucioneve që Dehari “është vetëvrarë”.

“Nëse tani për tani nuk dihen kush janë urdhërdhënësit apo ekzekutorët, atëherë prokurori është dashur të bëjë punën e tij. Detyrë e prokuronit është ta zbulojë këtë. Por, kjo nuk po ndodhë”, pohoi Haxhiu, prapë duke mos treguar se për çfarë provash po fliste në deklarimin e saj publik të mëparshëm.

Astrit Dehari, aktivist i ndjerë Vetëvendosjes

“Prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar për vepër penale, por gjithçka tjetër që çon te e vërteta”, vazhdoi deklaratën, po përsëri duke mos dhënë as vetë ndonjë provë.

Ajo më pas vijoi, por vetëm duke akuzuar institucionet se “ende nuk janë zhvilluar hetime të mirëfillta”.

Haxhiu më pas ka vazhduar me deklarime politike dhe shpërndarje të hipotezave se çfarë ka ndodhur në kohën e vdekjes së Deharit.

“Pse pati deklarime të dyshimta, kush i nxori materialet, për çfarë arsye ka ndërruar jetë shoku i qelisë së Deharit, këto janë prova”, tha ministrja e Drejtësisë.

“Siç po e shihni të gjithë shokët e burgut të Astrit Deharit ose nuk janë gjallë, ose janë trajtuar si të privilegjuar, ose nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm”, ri-pohoi atë që kishte thënë edhe më parë Haxhiu.

Ndryshe, më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ministrja Haxhiu, kishte dalur në një konferencë për medie, për të treguar se mostrat e gjakut në rastin e Astrit Deharit, ishin zhdukur nga laboratori ku po ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit”, kishte deklaruar Haxhiu.

Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.

Ata u suspenduan nga IML më tetë dhjetor 2022, por u rikthyen në punë më 19 shkurt 2023, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor brenda Institutit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore