Shëndet

Po operohej nga tumori në tru, po luante edhe në saksofon


Gishtat e dorës së majtë i mbante mbi çelësat e saksofonit. Buzët i ceknin instrumentin ngjashëm si të ishte duke dhënë shfaqje.

Por në të vërtetë nuk ishte kështu. Në ato çaste një ekip mjekësh arritën të hiqnin me sukses tumorin nga truri i tij.

Operacioni u krye në Spitalin Ndërkombëtar Paideia në Romë nga një ekip mjekësh të udhëhequr nga neurokirurgu Christian Brogna.

35-vjeçari me iniciale GZ, i kishte paralajmëruar mjekët që operacioni delikat të mos ndërhynte në aftësitë e tij si muzikant.

Teksa ekipi i ekspertëve ishte në punë, në sallën e operimit u përhapën notat e melodisë së filmit “Love story”.

Tumori u hoq plotësisht dhe funksionet neurologjike të pacientit nuk u dëmtuan.

“Çdo tru është shumë i ndryshëm nga tjetri. Neurokirurgjia e zgjuar lejon të hartojë me saktësi ekstreme gjatë operacionit rrjetet neuronale që qëndrojnë në themel të funksioneve të ndryshme të trurit si të folurit, lëvizja, kujtimi”, ka treguar Brogna.

Prej nëntë orësh, ndërhyrja u krye nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga më shumë se dhjetë profesionistë nga e gjithë bota.

Në të përfshiheshin neurokirurgë, anesteziologë, neuropsikologë, neurofiziologë dhe inxhinierë, të mbështetur nga teknologjitë më të avancuara si neuronavigimi me traktografi, aspirator me ultratinguj, ekografi intraoperative dhe neuromonitorim të vazhdueshëm.

Po ashtu u përdor një gjurmues specifik për qelizat e kancerit, gjë që i bëri ato më të dallueshme nga indet e shëndetshme përreth.

Brogna ka theksuar se “ndërhyrja ishte komplekse dhe kërkonte përgatitje të gjatë dhe teknologji të lartë”.

“Ishte ndër të parët e këtij lloji të realizuar në Itali në një strukturë private”, ka vijuar ai.

Sipas tij, çdo operacion në kirurgjinë e zgjuar jo vetëm që lejon marrjen e rezultatit maksimal në drejtim të heqjes së patologjisë, por është një zbulim i vërtetë.

“Çdo herë na ofron një dritare në funksionimin e këtij organi magjepsës, por gjithsesi në shumë mënyra misterioz, që është truri”, ka përmbyllur ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore