Lajme

“Plasaritja mes koalicionit Vuçiç-Daçiç” – çfarë impakti mund të ketë në procesin e dialogut?


Ilustrim: Aleksandër Vuçiç, Ivica Daçiç dhe Albin Kurti

Ndonëse maratona e dialogut me propozimin franko-gjerman ka hyrë në 100 metërshin e fundit, në korridoret e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë ditëve të fundit fjala “zgjedhje” po bënë jehonë.

Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai i cili tha se është i “gatshëm të shkojë në zgjedhje si kandidat për kryeministër”.

Vuçiç drejtoi gishtin te Partia Socialiste e Serbisë – partneri më i madh i koalicionit – e udhëhequr nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç duke u shprehur i zhgënjyer me sjelljet e bashkëpartiakëve të Daçiç’it në lidhje me çështjen e Kosovës.

E gjithë historia e “konfliktit” në mes të Vuçiç’it dhe Daçiç’it, sipas gazetarit të mediumit opozitar në Serbi, Nova.rs, Vojislav Milovançeviç, në fakt është një dramë e orkestruar e i drejtuar nga vetë Vuçiç.

Qëllimi i presidentit serb, sipas Milovançeviç’it, është shkaktimi i një krize artificiale në atë mënyrë që në njërën anë të blejë kohë e në anën tjetër të shtyjë një marrëveshje eventuale me Kosovën.

“Arsyetimi i Vuçiç’it ka qenë se partia e Daçiç’it nuk e ka mbështetur atë në Parlamentin e Serbisë kur ka folur për Kosovën. Gjykoni vetë nëse ky mund të jetë një argument i fortë për ta prishur koalicionin e për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë fillimisht Milovançeviç për Albanian Post.

Edhe pse Vuçiç po tenton me fizkultura të ndryshme ta eskivojë arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, gazetari serb bindshëm beson se në këtë fazë delikate presidenti serb nuk mund të luaj me kartën e zgjedhjeve.

“Për më tepër zgjedhjet në Serbi nuk u përshtatet partnerëve perëndimor, të cilët sigurisht do të thonë se nuk është një vendim i mirë për momentin, ndërsa negociatat me Kosovën janë duke vazhduar”, ka shtuar ai.

Se manovrat e Vuçiç’it janë vetëm për konsum të brendshëm politik e shtim të trysnisë politike mbi partnerin e koalicionit, në këtë rast në Partinë Socialiste të Serbisë, e thotë edhe politologu serb, Ognjen Gogiç.

Ashtu si Milovançeviç edhe Gogiç është i bindur se koalicioni qeverisë mes Vuçiç’it dhe Daçiç’it nuk mund të prishet, në të kundërtën shton Gogiç që të dy dalin humbës.

“Kërcënimi me zgjedhje u kumtua nga Vuçiç’i me qëllim disiplinimin e Daçiç’it. Elektorati i Vuçiç’it nuk është i kënaqur me qëndrimin që ai po mban në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe dialogun me Kosovën. Votuesit e Vuçiç’it mendojnë se ai është shumë i butë në raport me perëndimin. Daçiç mund të përfitonte prej saj, kështu që Vuçiç nuk do të guxonte të shkonte në zgjedhje”, ka shpjeguar Gogiç për Albanian Post.

Ognjen Gogiç, Vojislav Milovançeviç dhe Gazmir Raci

Por, në rast se Vuçiç përkundër pasojave politike vendos për zgjedhje si do të afektohej procesi i dialogut Kosovë-Serbi?

Edhe pse Gogiç insiston se në këtë fazë nuk mund të ketë zgjedhje, megjithatë në skenarin më të keq nëse Vuçiç fillon të ndjejë se është nën presion të madh për të pranuar propozimin franko-gjerman ai edhe mund t’i drejtojë serbët drejt kutive të votimit.

“Vuçiç mund të gjejë ndonjë justifikim për ta bërë këtë. Në këtë situatë, shtyrja e dialogut do të ishte qëllim dhe jo nënprodukt i zgjedhjeve. Daçiç aktron si i vdekur kur në pyetje është propozimi franko-gjerman. Vuçiç në anën tjetër është mjaft i zemëruar sepse është përballur me të gjitha reagimet e publikut”.

Nëse zgjedhjet do të përdoreshin si një mënyrë për të penguar dialogun komuniteti ndërkombëtar, sipas analistit serb, mund të ofrojë mbështetje opozitës pro-evropiane në Serbi si një përpjekje për të ndërshkuar Vuçiç’in dhe për të ndihmuar në krijimin e një qeverie që do të ishte e prirur për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër për analistin, Gazmir Raci, skenari më i keq i mundshëm në kohën kur po diskutohet arritja e një marrëveshjeje me bazë propozimin franko-gjerman në kuadër të dialogut në Bruksel është destruktiviteti i Serbisë, e cila, sipas tij, po tenton t’i ikë dialogut me manovra të ndryshme politike.

“Po duket që Serbia vazhdon të jetë kundër propozimit franko-gjerman sepse kohë pas kohë po e sfidon rrugën drejt finalizimit. Vuçiç’i vendosi barrikadat në pjesën Veriore kurse tani në opinion po flitet se gjoja shumica parlamentare në Serbi ka probleme për këtë çështje dhe mund të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme e rrjedhimisht mund të mos kemi marrëveshje”, thotë Raci për Albanian Post.

Progresistët e Vuçiç-it në zgjedhjet e fundit morën 120 ulëse në parlament, nga 250 sa i ka në përgjithësi Kuvendi njëdhomësh i Serbisë.

Daçiç përkundër se me koalicion, arriti të dal vetëm i treti me 31 ulëse.

Kur në pyetje është propozimi franko-gjerman, tashmë Vuçiç ka dhënë indikacione të pranimit.

Në anën tjetër, Daçiç ndryshe nga Vuçiç, është prononcuar më i prerë, duke thënë se është kundër planit franko-gjerman, sepse ai nënkupton njohje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore