Lajme

Plani i publikuar nga AP, Ambasadori Cufaj: Ky propozim duket të jetë i ngrirë, derisa gjendet zgjidhje për targat


Beqë Cufaj

Ndonëse ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka bërë të ditur se personalisht nuk ka parë draftin zyrtar të propozimit franko-gjerman, përpos se ka lexuar dokumentin e publikuar së fundmi në Albanian Post, mendon se ky plan është i ngrirë për momentin si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, por jo vetëm.

Sipas diplomatit kosovar propozimi franko-gjerman, të cilën Albanian Post e ka publikuar më 12 nëntor ku të përfshirë janë 9 nene të shpjeguara në detaje, mund të jetë vetëm një nga variantet e deritanishme, pasi që e njëjta mund të plotësohet apo ndryshohet në ditët në vazhdim, marrë parasysh se Kosova e Serbia kanë dërguar tashmë sugjerimet zyrtare të tyre lidhur me këtë plan.

“E rëndësishme të thuhet në këtë rast është që ky plan në ndërkohë duket të jetë ‘ngrirë’, kjo si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe veprimit të Qeverisë në Beograd për largimin e serbëve të Veriut nga institucionet në Prishtinë dhe katër komunat me shumicë serbe në Veri”, ka thënë Cufaj për Albanian Post

“Pra kemi një situatë kur sidomos Uashingtoni insiston që Kosova të tërheqë vendimin për targat dhe fillojë bisedimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe si kundër shpërblim serbët të kthehen në Institucione”, ka shtuar ai.

“Sado që AP ka bërë një punë të madhe me botimin e këtij teksti, them që si i tillë, ky Propozim është në prapavijë deri në datën 21 Nëntor. Dhe pastaj mund të shihet cilat do jenë veprimet për këtë plan”.

Ndryshe Albanian Post më 12 nëntor ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene të propozimit franko-gjerman.

Propozimi apo marrëveshja e publikuar në Albanian Post e ka emërimin “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Sipas këtij drafti nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore