Vende

Planet për megaqytetin saudit me rrokaqiejt e pasqyruar


Një megaqytet futuristik saudit do të shfaqë dy rrokaqiej në një zonë të shkretëtirës dhe terrenit malor.

Strukturat paralele të rrokaqiejve të mbuluar me pasqyrë që shtrihen më shumë se 100 milje, formojnë zemrën e megaqytetit Neom të Detit të Kuq.

E gjitha si një përpjekje e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman për të diversifikuar ekonominë e varur nga nafta e shtetit të Gjirit.

Neom ka sjellë vazhdimisht risi, si taksitë fluturuese dhe shërbëtoret robotë, edhe pse arkitektët dhe ekonomistët kanë vënë në dyshim fizibilitetin e tij.

Kësaj here, Princi Mohammed ka skicuar një vizion edhe më ambicioz, duke përshkruar një utopi pa makina që do të bëhej qyteti më i jetueshëm i planetit deri më tani.

Për analistët, planet për qytetin Neom kanë ndryshuar rrjedhën gjatë viteve, duke nxitur dyshimet nëse ambicia e re do të bëhet ndonjëherë realitet.

Dikur, Neom u shpall si një “Silicon Valley” rajonal, një qendër bioteknike dhe digjitale e shpërndarë në rreth 10 mijë milje katrorë.

Tani është një mjet për riimagjinimin e jetës urbane në një gjurmë prej vetëm 13 miljesh katrorë, duke trajtuar atë që Princi Mohammed e përshkruan si “kriza të jetesës dhe mjedisore”.

“Koncepti është transformuar aq shumë saqë ndonjëherë është e vështirë të përcaktohet drejtimi i tij”, ka thënë Robert Mogielnicki i Institutit Arab të Shteteve të Gjirit në Washington.

Sakaq, objektivi për vitin 2030 është që të ketë 50 milionë njerëz – gjysma sauditë dhe gjysma të huaj – që jetojnë në mbretëri, nga afërsisht 34 milionë që janë aktualisht.

Kurse deri në vitin 2040 objektivi është për 100 milionë njerëz.

Vendi do të mundësohet nga energjia e rinovueshme 100 për qind dhe do të ketë “një mikroklimë të butë gjatë gjithë vitit me ventilim natyral”, sipas një video promovuese të publikuar.

Por premtimet për zero emetim duket se kanë ngjallur skepticizëm nga ambientalistët.

Neom është i pozicionuar mirë për të shfrytëzuar energjinë diellore dhe të erës. Po ashtu po zhvillohen plane që qyteti të presë fabrikën më të madhe të hidrogjenit të gjelbër në botë.

“Por fizibiliteti i Neom në tërësi është ende i paqartë duke pasur parasysh shkallën dhe koston e paprecedentë të projektit”, ka thënë një ekspert.

Një aeroport është tashmë funksional në Neom dhe autoritetet njoftuan në maj se do të fillonin të merrnin fluturime të rregullta nga Dubai.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndërtimi i madh i vetë megaqytetit ka filluar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore