Shqipëria

Pika më kritike e zjarrit është nga ana e Himarës, thonë zjarrfikësit


Situata aktuale nga ana e Dhërmiut

Pika më kritike e zjarrit, i cili ka përfshirë Malin e Çikës prej disa ditësh, paraqitet nga ana e Himarës.

Kjo, pasi zona është rrëpirë dhe nuk mund të ndërhyhet në rrugë tokësore me forcat në terren.

Lajmi u bë i ditur për Albanian Post nga trupat zjarrfikëse në këtë zonë.

Kujtojmë që situata e zjarrit u përkeqësua mbrëmjen e 13 korrikut nga ana e Dhërmiut.

Pamjet e tymit dhe vatrave të zjarrit krijuan jo pak tension dhe panik mes pushuesve shqiptarë e të huaj.

“Nuk kemi mundur të vëmë gjumë në sy gjithë natën nga frika se mos avanconte zjarri”, tregon njëri prej tyre për Albanian Post.

Por, situata ka ndryshuar të enjten e 14 korrikut.

Fotografitë e siguruara nga AP-ja tregojnë se ana e Dhërmiut është pothuajse e shuar, me një vatër tymi shumë larg zonave të banuara.

Zjarrfikësit kanë siguruar se për shkak të mungesës së erës nuk shihet më ai tym i madh në fshatin bregdetar.

“Pylli i vogël me bredha në këtë zonë është përshkuar nga zjarri por nuk është djegur”, deklaroi prefekti i qarkut, Flamur Mamaj për Euronews Albania.

Forcat zjarrëfikëse kanë punuar gjatë natës që vatra të mos përparonte nga ana lindore e malit.

ADZM-të ishin të përqëndruara edhe në zonën që ndan malin e Çikës me Llogaranë.

Sipas prefektit, zjarri nuk përbën rrezik për banorët pasi është shumë larg.

Deri tani raportohen vetëm djegie të barit dhe shkurreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore