Lajme

Pezullohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi


Profesor Xhevat Krasniqi.

Universiteti i Prishtinës (UP), ka marrë vendim që të suspendoj profesorin e rregullt të matematikës në Fakultetin e Edukimit, i cili së fundmi është denoncuar nga 27 studente të Mjekësisë për ngacmim seksual në Këshillin e Etikës.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, është thënë nga Universiteti i Prishtinës.

“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”.

Ndërsa është propozuar që çështja e profesorit Krasniqi të vazhdojë edhe nga organet e hetuesisë.

“Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof. Xh.K., UP njofton se Këshilli i Etikës ka marrë vendim mbi këtë rast.· Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to”.

Më 9 prill, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, kishte reaguar lidhur me pretendimet e disa studenteve që janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i Universitetit të Prishtinës në fakultetin e Mjekësisë, Xhevat Krasniqi duke thënë se pret nga Këshilli i Etikës që ta trajtojë rastin pa vonesë.

“Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ”, kishte thënë ajo.

Ndërkaq më 11 prill, në protestën e organizuar nga Lëvizja Feministe Studentore u kërkua largimi i tij.

Aktivistja, Erza Dubova, konsideroi që Universiteti i Prishtinës nuk është i sigurt për vajzat.

Ndërkaq, nga Rrjeti i Grave të Kosovës thanë se Këshilli i Etikës është duke e trajtuar me vonesë këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore