Lajme

Nagavci kërkon nga UP-ja që të rriten masat e parandalimit ndaj ngacmimeve


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me pretendimet e disa studenteve që janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i Universitetit të Prishtinës në fakultetin e Mjekësisë, Xhevat Krasniqi duke thënë se pret nga Këshilli i Etikës që ta trajtojë rastin pa vonesë.

“Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social ‘Facebook’.

Duke kërkuar që të rriten edhe masat e parandalimit ndaj këtyre rasteve.

“Po ashtu, pres nga UP dhe të gjitha institucionet arsimore, që të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve”.

Sipas Nagavcit, këto raste më të drejtë duhet të paraqesin shqetësim tek të gjithë.

“Po aq sa edhe janë dëshmi se në Universitetin e Prishtinës tashmë janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim ashtu si dhe kërkesat e domosdoshme që secili pjesëtar i stafit akademik dhe punonjës të tjerë të UP-së, të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë”.

Xhevat Krasniqi, është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe së fundmi është raportuar se 27 studente të Mjekësisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual në Këshillin e Etikës të UP.

Ndonëse, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, e njëjta nuk është konfirmuar se qëndron në Fakultetin e Mjekësisë.

Që nga këto raportime nga Këshilli i Etikës është thënë se Krasniqi, është ftuar për raportim për tri herë radhazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore