Lajme

Petra Diamonds paguan 4.3 milionë paund dëmshpërblim për tanzanianët


Kompania britanike e minierave, Petra Diamonds, ka rënë dakord të paguajë 4.3 milionë paund si kompensim për dhjetëra tanzanianë.

Këta të fundit dyshohet se vuajtën abuzime të rënda të të drejtave të njeriut në një minierë të famshme për prodhimin e një diamanti rozë.

Rreth 71 paditës tanzanianë, po përfaqësohen në Gjykatën e Lartë të Londrës nga firma britanike e ligjit Leigh Day.

Ata pretendojnë se kompania ka bërë shkelje të rënda.

Ata pretendojnë se janë qëlluar, rrahur, goditur me thikë, sulmuar, janë mbajtur si të arrestuar në qeli dhe janë prangosur në shtretërit e spitalit.

Abuzimet dyshohet se janë kryer nga personeli i sigurisë së kontraktuar nga filiali lokal i Petra-s, Williamson Diamonds Ltd dhe nga policia e Tanzanisë. Ky kontraktor mban dhe shumicën e aksioneve të minierës.

Dhjetë prej pretendimeve të ngritura janë nga anëtarët e familjes e gërmuesve të paligjshëm, që dyshohet se janë vrarë në minierën në Shinyanga, një nga rajonet më të varfra të Tanzanisë.

Një dosje prej 25 pretendimesh janë duke u hetuar si pjesë e zgjidhjes, e cila mund të rrisë dëmshpërblimin total.

Deklarata e kompanisë

Në një deklaratë, kompania, e cila thotë se është një “shitës etik diamanti”, vuri në dukje se kishte caktuar një kontraktor të ri sigurie. Kompania tha se do të financonte gjithashtu projekte të komunitetit dhe do të krijonte një program të mbështetjes mjekësore.

“Petra pranon që kanë ndodhur incidente të së kaluarës që, për fat të keq, rezultuan në humbje jete, plagosje dhe keqtrajtimin e gërmuesve të paligjshëm”, thuhej në deklaratë.

“Marrëveshja e arritur me paditësit, e kombinuar me veprimet e tjera të vendosura, kanë për qëllim sigurimin e dëmshpërblimit dhe parandalimin e mundësisë së incidenteve në të ardhmen”.

Petra kishte rënë dakord për zgjidhjen në bazë të “mos pranimit të përgjegjësisë”, tha ajo.

George Joseph Bwisige, udhëheqësi i një grupi që kërkon kompensim për abuzimet në minierë, tha se “Unë kam qenë duke pritur për një kohë të gjatë që Petra Diamonds të njohë atë që operacionet e saj më bënë mua dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit tim”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore