Lajme

Petkoviç takon Lajçakun, Serbia dëshiron që prioritet i diskutimit me palën kosovare të jetë Asociacioni


Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, është takuar në Bruksel me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të rundit të ri të dialogut në nivel ekspertësh.

Pas bisedimeve dypalëshe ndërmjet Petkoviçit dhe Lajçkut, një delegacion i ekspertëve serbë do të bisedojë me ndërmjetësit e BE-së për dialogun.

Sipas raportimit të mediave serbe, delegacioni i Beogradit u nis për Bruksel me qëllimin që në diskutim të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ndërkohë, të hënën e 15 nëntorit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviç, u deklarua rreth këtij rundi të takimit.

Kurti ka theksuar se temë e diskutimit do të jetë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, energjisë dhe lëvizja e lirë.

Ai gjatë fjalimit të tij ka bërë të ditur se, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të udhëtojë për në Bruksel gjatë ditës së hënë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne jemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë ku në qendër e ka njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deri më tani ka ekzistuar qasje që Kosova duhet të bëjë koncesione dhe kompromise për një njohje e cila na vjen  në fund nga Serbia. Serbia ka përfituar nga koncesionet mirëpo nuk na ka njohur dhe tash kemi një situatë të re”.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

“Serbia nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, por edhe Kosova gjithashtu nuk mund ta pranojë Serbinë përderisa ajo ka një kushtetutë të tillë e cila është e kohës se ish-presidentit Koshtunica nga viti 2006”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore