Lajme

Peshkopi Joanikije: Kosova po trajtohet si shtet i pavarur prandaj Marrëveshja e papranueshme  


Joanikije

Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, beson se propozimi franko-gjerman i mishëruar tashmë në një Marrëveshje është i papranueshëm, nëse aty Kosova trajtohet si shtet i pavarur.

Marrëveshja në fjalë beson, Joanikije, nuk ofron siguri për popullin serb në Kosovë.

“Nëse teksti i marrëveshjes përkufizohet si kornizë për negociata të mëtutjeshme dhe në të Kosova trajtohet si shtet i pavarur, atëherë është krejtësisht e papranueshme”, ka thënë Peshkopi Joanikije, transmeton mediumi serb, Danas.

Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Ndërsa më 18 mars të dy liderët do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore