Lajme

S’janë vetëm Kosova dhe Bosnja “pikë të nxehta” në Ballkan, është edhe Mali i Zi, thotë Krivokapiç


Ranko Krivokapiç, minister i Puneve te Jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka thënë se Rusia përveç ndikimit të saj në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ka prekur edhe politikën malazeze.

“Përveç asaj që po ndodh tashmë në Kosovë dhe në BeH, edhe Mali i Zi po dëshmohet të jetë një objektiv i rëndësishëm i ndikimit rus në Ballkan”, ka vlerësuar ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Diplomati malazez theksoi se Mali i Zi po përballet me pasojat e këtij ndikimi dashakeq edhe para se të fillojë agresioni në Ukrainë, duke shtuar se prezenca e aktivitetit të Rusisë ka qenë e pranishme shumë më herët.

“Pasojat tashmë po ndjehen në rajon, ndoshta edhe para se të ndodhte kjo me Ukrainën, pasojat filluan të ndodhin në Mal të Zi. Këto aktivitete që tani janë kthyer në agresion të egër në Ukrainë, përmes formave të ndryshme të luftës hibride, kanë qenë të pranishme në Mal të Zi dhe më herët dhe tani po përshkallëzohen”.

Ai nënvizoi se Mali i Zi mund të dalë nga kriza aktuale politike vetëm përmes zgjedhjeve dhe votës së qytetarëve.

Tashmë nuk është sekret se Rusia ka kohë që po bën fushatë ndaj kombeve të vogla ballkanike, për t’i nxjerrë ato nga kursi perëndimor dhe eventualisht për të krijuar kushte që në pushtet të vinë forcat pro ruse, e diku tjetër të provokohen trazira që prodhojnë destabilizim.

Një zyrtar i lartë i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikur një pjesë të raportit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, se që nga viti 2014, Rusia ka paguar më shumë se 300 milionë dollarë për partitë politike, zyrtarët dhe politikanët në më shumë se njëzet vende të botës – si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të fituar ndikim jashtë vendit.

Financim nga Rusia kishte pranuar edhe formacioni politik proserb ‘Fronti Demokratik’ në Mal të Zi, i cili aktualisht është duke bërë përpjekje për ta formuar qeverinë e re.

“Bashkëpunëtorët e Oleg Deripaskas i dhanë fonde ‘Frontit Demokratik’ në vitin 2016 dhe ndoshta para zgjedhjeve të 2018-ës përmes kontratave joadekuate dhe kompanive ‘offshore’”.

Fushata e politikës së jashtme propaganduese ruse është koduar si “Doktrina Gerasimov”, sipas Valery Gerasimov, i cili ka qenë Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë ruse, që spikat praktikat e Rusisë në përpjekjet e saj për influencë globale duke marrë forma të ndryshme prej rekrutimit të liderëve dhe partive politike nacionaliste e fashiste, depërtimit dixhital si mjet për përhapjen e diskursit publik për të mbjellë mosbesim ndaj Perëndimit, e deri te aspekti ekonomik, financimi direkt për parti e politikanë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore