Sport

Përsëri shtyhet seanca ndaj Ademit


Përsëri ka dështuar të mbahet seanca ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit.

Arsyeja pse nuk u mbajt seanca e planifikuar për këtë të hëne, është pasi që ka munguar pala e dëmtuar, Dritëro Kadolli.

I pari i FFK-së, Ademi, së bashku me Muharrem Ramën akuzohen se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMË X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të çështjes, Sabit Sadikaj, Kadolli ka njoftuar administratën e gjykatës se gjendet në Angli dhe nuk do të jetë në Kosovë deri rreth datës 27 shkurt 2023.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua të mbahet më 7 mars 2023.

Gjykatësi Sadikaj, konstatoi se palëve prezentë procesverbali i seancës do të ju shërbej si ftesë, ndërsa i dëmtuari Kadolli do të ftohet me ftesë të rregullt.

Ndryshe, edhe seanca e kaluar kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së Kadollit.

Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet barrë.

Një tentativë për fillimin e rigjykimit ishte bërë më 24 mars 2021 kur ishte caktuar një seancë për këtë rast, por ajo seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo lëndë, fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore