Lajme

Përsëri kacafytje në Kuvend


Ilustrim

Rinisja e seancës së Kuvendit pas rrahjes që ndodhi paraditen e kësaj të enjte, është shënuar me tensione të radhës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës po përpiqen që të bllojkojnë punën e Kuvendit si shenjë revolte ndaj mazhorancës.

Madje, ata po mbajnë dy pankarta të mëdha ku shihet fotografia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me hunda të zgjatur që personifikon personazhin e “pinokut”, që simbolizon gënjeshtarin.

Ka pasur edhe fërkime dhe shtyrje në mes të deputetëve të Partisë Demokratike dhe të atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij para deputetëve pas përleshjes fizike ka thënë se rrahja mes ligjvënësve “do gjykohet nga qytetarët”, derisa i ka porositur deputetët që të vetëpërmbahen.

Gjatë fjalimit të tij, ai ka treguar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hequr dorë nga fjala e tij.

“Unë bisedova edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, ai po heq dorë nga fjala e tij të cilën e patë dhe nëse si deputetë këtu e kemi një mirëkuptim me njëri-tjetrin për ta vazhduar në një pikë tjetër, dalim në një pikë tjetër, e kalojmë krejt atë që ishte pjesa e Qeverisë dhe vazhdojmë te pyetjet parlamentare që ju vet i keni kërkuar”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se “kemi pasur probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik, e drejt fytyrës, drejt trupave me ja mësy njëri-tjetrit siç e pamë sot në Kuvendin e Kosovës”.

“Këtë nuk ia dëshirojmë askujt dhe është një sjellje e cila do të gjykohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe do të doja që më asnjëherë mos të përsëritet”, shtoi ai.

Ai ka potencuar se Kuvendi ka përjetuar peripeci të llojllojshme, “mirëpo së paku deri në ditën e sotme e kemi pasur një imunitet të mirë i cili është vlerësuar edhe nga bota demokratike”.

“Po ju bëj thirrje që ta merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi t’i kalojmë këto ditë të vështira. Ne nuk i kemi kursyer fjalët me të rënda për njëri-tjetrin. Në momentin që kalohet nga fjalët në veprime me goditje, tejkalojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Për sa i përket rrahjes së deputetëve, ai ka potencuar se do të merren organet e drejtësisë.

Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj përleshjeve në Kuvendin e Kosovës që ndodhen të enjten mes deputetëve të pozitës e opozitës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, e para e shtetit është shprehur se ky është vetëm dëmtim ndaj institucioneve që janë ndërtuar me sakrificë ndër vite.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka sqaruar rolin legjislativ të Kuvendit në Kosovë.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”.

Edhe pse përleshjet në Kuvend ishin të përmasave mjaft të mëdha, Osmani ka potencuar se vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit.

“Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”.

Si filloi përplasja në kuvend?

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.

“Tempulli i demokracisë në sallë përleshjesh” – krejt çfarë ndodhi në Kuvend dhe më pas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore