Lajme

“Tempulli i demokracisë në sallë përleshjesh” – krejt çfarë ndodhi në Kuvend dhe më pas


Ilustrim

Kuvendi i Kosovës, i cili përfaqëson organin më të lartë legjislativ i një shteti demokratik, të enjten u kthye në një “sallë përleshjesh”, meqë pati përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë vendosën që të mos lejojnë vazhdimin e fjalimit të Kurtit.

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, letër ky i larguar pas disa sekondave nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimi hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit e goditi me shishe të ujit deputetin e PDK-së.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e opozitës.

Nuk munguan as grushtat e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim ndalimin e përleshjeve.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu senacën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Situatë e tensionuar vazhdoi edhe pas ndërprerjes së punës së Parlamentit meqë deputetët e pozitës e opozitës vazhduan kacafytjen me akuza e kundër-akuza duke tentuar të argumentojnë se nuk ishin fajtorë për agravimin e situatës në Kuvend.

Reagimi i parë erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës. Të njëjtët fillimisht pasi dënuan përleshjen fizike në Kuvend, etiketuan Besnik Bislimin si nxitësin e tensioneve.

PDK-ja fajësoi zëvendëskryeministrin Bislimi për sulm ndaj deputetëve të kësaj partie, meqë sipas tyre, Bislimi ishte i pari ai i cili goditi me mjetë të fortë, saktësisht shishe të ujit, deputetin Mërgim Lushtakun.

Lushtaku – njëri ndër akterët kryesor i përfshirë në përplasje fizike në Kuvend – dha versionin e tij të ngjarjes, në një konferencë për media, më pas.

Lushtaku përveç se e quajti si të palogjikshme që një zëvendëskryeministër përfshihet në rrahje tha se do t’i padisë akterët e pushtetit që janë përfshirë në përleshje në Kuvend dhe që e kanë sulmuar.

Versionin e saj së përplasjes në Kuvend e dha edhe Lëvizja Vetëvendosje gjersa e quajti si “krim të organizuar” krejt atë çfarë ndodhi në Kuvend.

“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhej në reagimin e VV-së.

Sipas VV-së, teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar “për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në Veri të vendit”, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, “si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”.

Eskalimi i siutatës në Kuvendin e Kosovës

Për përleshjen në fjalë u deklarua shumë shkurtë edhe Kurti, fjalimi i të cilit, fillimisht u brohoris nga deputetët e opozitës dhe më pastaj u ndërpre me hedhje me ujë ndaj tij, tha se nuk frikësohet nga këto sulme.

Rrahjen në Kuvend e dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa tha se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, shkori ajo.

Dhunën në Kuvend e dënoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Në çdo demokraci, sipas diplomatit amerikan ka dallime të forta, por sipas tij dallimet duhet të zgjidhen përmes dialogut – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë.

“Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje”, shkroi ai në Twitter.

Për situatën jo të zakonshme të krijuar në Kuvendin e Kosovës reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët e të cilës parti nuk u përfshinë në përleshjen fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe disa nga ministrave të Qeverisë.

LDK përveç se dënoi dhunën këshilloi partinë në pushtet të mos të moralizojë për situatën në fjalë meqë sipas tyre është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka instaluar si mjet dhunën në Kuvend.

“Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”.

Tensionimi i situatës në Kuvendin e Kosovës, të enjten, përfshiu edhe ballinat e mediave prestigjioze ndërkombëtare.

Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka raportuar për përleshjen fizike që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kacafytja ndodhi përderisa kryeministri Kurti ishte duke folur për masat për uljen e tensioneve me serbët etnikë në pjesën veriore të vendit. Lajmin për këtë ngjarje e ka publikuar edhe agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore