Lajme

“Përpos marrëveshjes përfundimtare, anëtarësimi i Kosovës në OKB është element i rëndësishëm”


Ilustrim

Për ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, gjëja më e rëndësishme në kontestin Kosovë-Serbi, pa dyshim do të ishte anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova si anëtare e plotfuqishme në këtë organizatë ndërqeveritare, argumenton më tej diplomati amerikan, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, do të jetë pjesë e të gjitha institucioneve kyçe shumëpalëshe politike, të sigurisë dhe ekonomike në të njëjtën bazë si çdo vend tjetër në botë.

Më 18 shtator Albanian Post publikoi pjesërisht dokumentin i cili përmban kornizën e re franko-gjermane, i cili më vonë u pagëzua si propozim i BE-së. Ndërsa më 12 nëntor Albanian Post publikoi dokumentin në fjalë në tërësi.

Delawie, i cili tashmë ligjëron lëndën e diplomacisë në Universitetin “George Mason”, thotë se e ka parë propozimin franko-gjerman të publikuar nga Albanian Post, plan që propozon zgjidhje sipas modelit të dy-Gjermanive.

Ai thekson se gjithmonë ka besuar që pikërisht Marrëveshja e Dy Gjermanive, ka mundur të ofrojë një model të dobishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Elementi kyç për mua, përveç një marrëveshjeje për një paqe të qëndrueshme, është që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, gjë që do t’i lejojë asaj të marrë pjesë në të gjitha institucionet kyçe shumëpalëshe politike, të sigurisë dhe ekonomike në të njëjtën bazë si çdo vend tjetër në botë”, ka theksuar Delawie për AP.

Greg Delawie

Megjithatë Delawie thekson se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur vitet e fundit, jo për fajin e dy këtyre, por për shkak se BE-ja ia ka lënë në dorë Prishtinës e Beogradit të vendosin për agjendën e bisedimeve.

“Mendoj se është koha për të braktisur këtë paradigmë dhe për të përdorur një qasje më direkte, ku Bashkimi Evropian vendos agjendën për bisedimet Kosovë-Serbi dhe përpiqet të negociojë rezultate pozitive bazuar në agjendën e tij, duke përdorur karotat dhe shkopinjtë e duhur sipas nevojës. Nëse kjo është ajo që po ndodh me propozimin e përfolur franko-gjerman, unë jam i lumtur ta shoh atë”, ka shtuar ai.

BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj – Intervistë ekskluzive me Greg Delawie, ish-ambasador i SHBA-ve në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore