Shqipëria

Përmbysja e autobusit me targa shqiptare në Kroaci, identifikohen disa nga të plagosurit


Unioni Shqiptar në Kroaci ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes, ku një autobus me targa shqiptare u kthye përmbys duke sjellë vdekjen e një udhëtari dhe plagosjen e 7 të tjerëve.

Unioni ka zbardhur emrat e disa prej personave që mbetën të plagosur.

Bëhet fjalë për Adem Rexhën, i cili është shoferi dhe dy të plagosur të tjerë, Armand Shaba dhe Ylli Muça.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kroaci ku një autobus me targa shqiptare është përmbysur dhe raportohet për disa të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në autostradën A1 ndërmjet kryqëzimit Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit”, shkroi Unioni në median sociale Facebook.

Ai specifikoi se personat e lënduar po trajtohen në spitalet e përgjithshme në Karlovac dhe Ogulin.

“Unioni Shqiptar në Kroaci, Bashkësia Shqiptare e Prefekturës së Karlovacit, Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë të Luftës atdhetare në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë po e përcjellin ngjarjen prej afër, po gjinden pranë personave të lënduar nëpër spitale dhe janë në dispozicion të të lënduarve në çdo moment”.

Si ndodhi ngjarja?

Autobusi drejtohej nga një shtetas shqiptar, 58 vjeç, ndërsa për arsye të panjohura ka devijuar majtas duke u përplasur me trafikndarësen e rrugës. Kështu, më pas autobusi është përmbysur.

Mediat shkruajnë se, në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin nëntë pasagjerë dhe shoferi.

Po ashtu raportohet se të plagosurit po trajtohen në spitalet e përgjithshme në Karlovac dhe Ogulin.

Autostrada fillimisht ishte mbyllur në të dy drejtimet, ndërsa mëngjesin e sotëm është hapur për qarkullim njëra korsi.

Mediat kroate kanë shkruar se personi që humbi jetën është një 41 -vjeçar (shoferi i dytë i autobusit), dhe se shoferi që po i jepte në ato momente është në gjendje të rëndë, por ky informacion ende nuk është konfirmuar nga Policia kroate, të cilët ishin të parët që dhanë lajmin.

Po ashtu ende nuk dihet se cilës agjenci udhëtimi i përkiste autobusi i aksidentuar në orët e vona të mbrëmjes.

Policia e Kroacisë bëri me dije se hetimi po vijon ende për të mësuar shkaqet që çuan në përmbysje të autobusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore