Shqipëria

Përloti Papa Francesco-n me historinë e saj – Vatikani përkujton murgeshën shqiptare, e cila u shua javën e shkuar


Dëshmia e Motër Maria Kaletës mbi historinë e jetuar prej saj që prej kohës së komunizmit, ka prekur shumë zemra besimtarësh, ndër të cilët, personaliteti më i rëndësishëm ishte edhe vetë Papa Francesco.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 2014, Maria Kaleta ishte një ndër dy personat, të cilët rrëfyen historinë e tyre. Me historinë e saj, Papa u përlot dhe e shpërndau gjerësisht bashkëvuajtjen e tij me botën, për çfarë kishte ngjarë në Shqipërinë komuniste.

Javën e shkuar, në moshën 92-vjeçare, Kaleta ndërroi jetë.

Tashmë, vetë faqja zyrtare e Vatikanit, e përkujton atë për kontributin e çmuar me rrëfimet rrënqethëse dhe besimin e madh që përcolli.

“Motёr Maria Kaleta, dëshmitarja e Kalvarit qё populli dhe Kisha përshkuan gjatё regjimit komunist nё Shqipёri, u kthye nё shtёpinё e Atit Hyjnor, duke lёnё pas  rrёfimet e saj si njё thesar jete shpirtёrore, qё dёshmojnё forcёn e besimit nё Zotin dhe dashurinё ndaj popullit e vendlindjes”.

Kështu përshkruhet ikja e saj nga kjo botë nga selia e shenjtë.

Ndërsa në përshkrim, ajo cilësohet si një “mistike e udhës së Kryqit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore